I pyetur nëse do t’i qëndrojë zotimit të tij për të mbajtur detyrën e kreut të shtetit, nëse LSI apo PD fitojnë zgjedhjet e vitit 2021, Presidenti Ilir Meta tha se institucioni i drejtuar prej tij do të vijojë të jetë kështjellë e lirisë.
Megjithatë, Meta ripërsëriti qëndrimin e tij se është i gatshëm të lërë mandatin e Presidentit për hir të marrëveshjeve që garantojnë stabilitetin e vendit.
Pyetje: Kur mazhoranca ngriti komision për shkarkimin tuaj, ju u përbetuat se do dilni nga zyra në korrik 2022. Nëse në zgjedhjet e vitit 2021 ish-partia juaj do fitonte zgjedhjet, do ishit i gatshëm të linit mandatin e presidentit?
Presidenti Ilir Meta: Unë prej kohësh kam qenë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve të cilat zgjidhin legjitimitetin e institucioneve të vendit, të lija dhe postin e Presidentit vetëm të gjendet një zgjidhje afatgjatë për vendin. Dua t’ju siguroj pa hyrë në komente, në të gjitha rastet unë premtimin që kam bërë që ky institucion deri më 24 korrik 2022 do të jetë kështjellë e pamposhtur në mbrojtje të Kushtetutës, këtë do ta mbaj në të gjitha mënyrat.





