Teksa foli për ngjarjen horror që tronditi mbrëmjen e djeshme Fierin, ku u vra një fëmijë 8-vjeçar nga fqinji i tij, Klodian Çallamani, Rama i përgjigj pyetjeve të gazetarëve për rikthimin e dënimit me vdekje.

Kryeministri tha se rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe as shkop magjik për të parandaluar ngjarje të tilla.

Ai foli për papërgjegjshmëri të trupave gjykues të cilët sipas Ramës duhet të ngrihen në nivelin e legjislacionit.

Unë e kuptoj këtë reagim dhe emocionet shumë ekstreme të momentit, nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë. Por çështja e dënimit me vdekje është një çështje e adresuar kohë më parë si çështje e civilizimt tonë nga të gjitha vendet e BE dhe më gjerë. Në adresimin e kësaj çështjeje ka pasur një proces të gjatë për heqjen e dënimit me vdekje.

Dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme për shoqëritë ngjarje të tilla. Fatkeqësisht shoqëritë edhe në vendet e zhvilluara, me nivelin më të lartë të civilizimit tonë, i kanë këto qënie që janë në gjëndje të shkojnë deri në fatet më ekstreme të asaj që ka ndodhur nga kafsha në qënien e njeriut.

Rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe as një formulë për të parandaluar të tilla ngjarje, të cilat siç e the dhe siç e dimë, ndodhin në të gjitha shoqëritë. Në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria për shkak të disa ndërhyrjeve në vite në ligje, ka të shkruar legjislacionin më të ashpër, ose nga më ët ashpërit. Çështja është zbatimi i legjislacionit”, u shpreh kryeministri.