Nga Bedri Islami

8 dhjetor 2015 – Prej disa ditësh, por sidomos ditët e fundit, një taborr rreth Shqupit politik dhe mitingashë, duke bërë thirrje për demonstratë masive, po përcjellin mesazhin se 8 dhjetori do të jetë edhe dita e fundit e qeverisë Rama.

Së bashku me PD-në, si gjithnjë, është bërë pjesë edhe presidenti aksidental i Republikës, Bujar Nishani, i cili pak para mitingut të thirrur, gjeti rastin të shkojë në kampin famëkeq të Spaçit, për të sjellë në vëmendje vuajtjet e shkuara dhe për të përmbysur të sotmen, duke bërë aluzion të qartë se duhen rrëzuar bijtë e atyre që ishin në pushtet.

Nishani, i cili ishte ushtarak, po të mos kishte qenë lëvizja e 8 dhjetorit, do ishte oficer roje në Spaç dhe do e kishte bërë detyrën me të njëjtën devotshmëri si po e bën edhe sot. Nga ana tjetër, se cilët janë ata që e përgjakën këtë vend dhe se ku duhen gjetur, kjo është një e fshehtë e hapur tashmë, dhe si e tillë, ajo nuk ka nevojë për predikimet e Nishanit.

Berisha, po ashtu, në stilin e tij, thërret e shkruan gjithë ditën e gjithë natën se kjo do të jetë ngjarja më e madhe e historisë, si ka thënë në secilën herë që ka demonstruar dhe në secilën herë është kthyer bishtashalas prej aty ku është nisur.

Ai ende kujton se është viti 1998 dhe se ka pranë bjellogardistët e Bukoshit; ende mendon se do të ngrihet mbi shtetin dhe mbi strukturat e tij, për të bërë atë që ka bërë gjithnjë, që nga 13 dhjetori i vitit 1990 e deri më sot: djegie, shkatërrime, vjedhje e vrasje. Mjerisht, këtë e ka bërë edhe kur ishte në pushtet, edhe kur ishte jashtë pushtetit.

Ai të kujton një thënie të hershme shekspiriane: “është i keq jo se shkau, por është i keq se është i keq”. Por ai është më tepër se kaq: njeriu që është lindur për të keqen e këtij vendi, që edhe pa të kishte parë shumë plangprishës të tillë.

Berisha harron se, megjithëse po synon të sjellë në Tiranë skenarin e ndodhur në Kosovë, ku demonstrimet janë në të drejtën e tyre, e kësaj here në sensin e kundërt, ai nuk ka pranë vetes metingashë të armatosur, shqiptarë të Kosovës, ashtu si edhe e majta në pushtet nuk do të ketë pranë vetes militantë të çartur.

Megjithatë, për keqardhje, më duhet të pohoj se asgjë nuk është e rastësishme, ashtu si nuk është e rastësishme se, sa herë ka ngjarje të mëdha në Kosovë, do të ketë një dorë që kërkon të ndezë edhe Tiranën.

Një këshilltar i Berishës dhe përfaqësues i së djathtës, bëri publike disa foto nga të vrarët e 2 prillit 1991 në Shkodër. Një ngjarje, për të cilën, vetë Berisha, në gazetën “Rilindja Demokratike” ka akuzuar me emër e pasemër Azem Hajdarin dhe grupin rreth tij. Pikëpyetjet e 2 prillit janë ende të shumta, por e vetmja gjë që dihet me siguri është se tashmë urdhëruesi dihet, dorasi është i fshehur.

Makabrja e këtyre fotove nuk qëndron thjesht në përsëritjen e dhimbjes tek familjarët, që do i kujtojnë përjetësisht si të dashurit e tyre, por, përmes tyre, kërkojnë të ndezin mërinë, zemërimin dhe duke u ngritur mbi dhimbjen e të tjerëve dhe mbi gjakun që e derdhën vetë, të sulmojnë pushtetin.

Desha të bëj një paralele. Kur, sapo kishte filluar lufta në Kosovë, erdhën edhe fotot e masakrës në Familjen dhe fisin Jashari . Kishte mendime që të bëheshin publike kudo, që të rritej zemërimi i njerëzve, megjithëse edhe ashtu ishte kulmor. Familja Jashari, me të cilën isha në kontakt të përditshëm, nuk e pranoi dhe unë e ndjeva se gjithë ajo ngjarje nuk kishte ndodhur rastësisht. Lulëzimi, i biri i Adem Jasharit, më tha asaj kohe se, “nuk duam që njerëzit të luftojnë me marrë hakun e fisit tonë, po për Kosovën” dhe kjo ishte ajo që shquhej në sakrificën e tyre. Ndërsa tani, një këshilltar, intelektual, i zgjedhur, pak para 8 dhjetorit, kërkon të “ndezë” gjakrat, që të vijë përsëri një gjak tjetër.

Basha, ky levantin që ulërin nëpër sheshe e salla, sikur i gjithë fati i vendit të ishte në cepin e buzëve të tij, ndërsa ndez thirrjen se “do i shkulim nga qeverisja”, ende është ai birboja i politikës, që u soll nga një tribu serbe, ku shërbente, për të marrë në duart e tij një parti militare, dhe për të përvetësuar aq shumë sa që të duket ende e pakuptueshme se si mund të jenë në politikë njerëz të tillë.

Duke dashur të trimërojë të tijtë, ai thirri në ndihmë edhe ish-shefat e policisë, praktikë që në fakt dikur e ka bërë edhe PS, por jo në rastet kur është bërë thirrja për përmbysje të qeverisë. Është shkuar më tej se e zakonshmja e kësaj politike mediokre, sepse kanë dashur të shkojnë më tej. Shtabi policor i Shqupit, është sot një falangë e papërfillshme, dhe sado të kenë dëshirë për të bërë pasligjin, ata e dinë më mirë se të tjerët, se është edhe ligji.

Megjithatë, çdo parti ka të drejtën e protestës, sa më shpesh të jenë dhe sa më reale, aq më mirë bëhet për qeverinë, që mund të mësojë nga gabimet; e shumë më mirë për njerëzit, të cilët duan gjithnjë e për më mirë. Të drejtën e protestës ua jep çdo ligj i shtetit shqiptar dhe Berisha deri tani ka bërë aq shumë protesta, sa dikujt tjetër do i duheshin shekuj për t’i bërë. Në fund të fundit, ky është zanati i tij dhe ai është i pasionuar pas protestave. PD-ja ka gjithë të drejtën e botës të protestojë, të ulet në shesh, të thërrasë kundër qeverisë, megjithëse ajo nuk thërret, por mallkon duke pritur rikthimin; ka të drejtë të thërrasë në miting apo protestë gjithë Shqipërinë, e megjithatë, nuk duhet të harrojë se e drejta e gjithsecilit mbaron aty ku shkelet e drejta e dikujt tjetër.

A do të ketë përmbysje të qeverisë?

Jam i bindur se pas disa ditësh, duke e cilësuar fitore të madhe, si edhe më parë, demokratët do të shkojnë në shtëpitë e tyre, e ndoshta, shumë prej tyre, ish-qeveritarë, do të jenë më të qetë që hetimi dhe gjykimi i tyre nuk do të bëhet kurrë.

8 dhjetori i vitit 1990, pavarësisht se si u nis dhe kush e gatoi mbetet një ditë historike. 8 dhjetori i këtij viti do të mbetet për pak kohë një ditë e vërrimave pakallësh dhe mashtrimi të jashtëzakonshëm, me ato njerëz që do të vijnë të shohin se si do të përmbyset qeveria dhe do të kthehen në shtëpi duke menduar për bukën e ardhshme. Ndërkohë thirrësit, lajmësit, që nuk janë të pafajshëm, do të zhgërryhen nëpër hapësirat e vilave të stërmëdha, duke thënë, “ndihmona , Zot, shpëtuam edhe kësaj here”.

Mos u tronditni. Asgjë nuk do të ndodhë.

/DITA/