Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen këtë të enjte për të marrë vendim lidhur me pagat e gjytarëve.
Sipas burimeve të Euronews, vendimi pritet të njoftohet gjatë ditës, ndërsa mbledhja e paralajmëruar është parashikuar të nisë rreth orës 12:00 dhe pritet të zgjasë disa orë.
Kujtojmë që në mars të vitit 2025 Unioni i Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023, ku u përcaktua se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë.
Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri.
Pra me ndryshimin e ligjit nga qeveria rritja ishte me mbi 20 mijë lekë të reja.
Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri u rrit në 231 mijë lekë të reja.
Pra gjyqtarët thonë se ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua ka ulur pagën dhe nëse s’do bëhej ky ndryshim ajo do të ishte 78 mijë lekë të reja më e lartë.
Për këtë arsye gjyqtarët kërkojnë nga Kushtetuesja ose rikthim në referencën e parë ose një përcaktim sa 54.3% e pagës së Presidentit plus pasqyrim të çdo rritje rrogash në tërësi.
Duke pasur parasysh formulën e llogaritjesh së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjit, rritja shkon nga 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë, deri në 3000 euro plus për Apelin e GKKO dhe SPAK.





