Ukraina ka të drejtën e fortë ligjore dhe ushtarake për të goditur thellë brenda Rusisë për të fituar avantazhe luftarake, tha të shtunën kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer.

“Çdo komb që sulmohet ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo e drejtë nuk ndalet në kufirin e kombit tuaj,” tha Bauer, i cili shërben si këshilltari kryesor i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, duke folur në mbyllje të takimit vjetor të komitetit.

Kombet kanë të drejtën sovrane për të vendosur kufizime në armët që dërgojnë në Ukrainë, shtoi ai. Gjenerallejtënant Karel Řehka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Çeke, tha se kombi i tij nuk vendos kufizime të tilla armësh në Kiev.

“Ne besojmë se ukrainasit duhet të vendosin vetë se si ta përdorin atë,” tha Řehka.

Por ai gjithashtu vuri në dukje rreziqet politike dhe potencialin e përshkallëzimit: “Është e rëndësishme të merret parasysh çdo aspekt, duke përfshirë potencialin e përshkallëzimit dhe gjëra të tjera.”

Komentet e tyre erdhën ndërsa Presidenti i SHBA Joe Biden po peshon nëse do të lejojë Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë të siguruara nga SHBA për të goditur thellë në Rusi.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Kievi për Perëndimin për ta lejuar atë të godasë më thellë në Rusi, liderët perëndimorë duken ende në mëdyshje.

Biden u takua me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer të premten pas vizitës së kryediplomatëve të tyre në Kiev, të cilët u vunë nën presion të ri për të hequr kufizimet e armëve. Diskutimet për lejimin e goditjeve me rreze të gjatë besohej të ishin në tryezë, por asnjë vendim nuk u shpall menjëherë.

Uashingtoni ka lejuar Ukrainën të përdorë armët e ofruara nga SHBA në sulmet ndërkufitare për të kundërshtuar sulmet nga forcat ruse. Megjithatë, ai nuk lejon përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi në thellësi të Rusisë.