Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Greqisë më 12 maj, ku do të zhvillojë një takim në Athinë me komunitetin shqiptar që jeton në shtetin helen.
Në Athinë ndodhet tashmë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi i cili është duke organizuar turin e kryeministrit.
Kjo lëvizje e Ramës vjen në një moment kur partia e tij është në një fazë ristrukturimi dhe është në valën e fushatës për të tërhequr anëtarë të rinj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Për shkak të kësaj vizite në shtetin grek, socialistët kanë zhvendosur më 10-11 Maj zgjedhjet e delegatëve të Kongresit me parimin një anëtar një votë.
Përveç takimit me emigrantët shqiptarë apo anëtarët e PS, me interes pritet nëse prania e kryeministrit në Athinë do të shfrytëzohet për ndonjë takim informal me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, pas tensioneve që vijojnë prej muajsh, për shkak të arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredu Beleri.
Zyra e Kryeministrisë në Tiranë, deri më tani, nuk konfirmon një takim të tillë.