Vota e emigrantëve është ndër temat më të diskutuara sa herë në vend zhvillohen zgjedhjet, por kjo nismë ende nuk ka gjetur zbatim.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thotë se as në zgjedhjet lokale të 14 majit, emigrantët nuk do të mund të votojnë nga vendi ku jetojnë aktualisht.
“E drejta e bashkëqytetarëve që janë me banim të përhershëm jashtë vendit, është e garantuar në zgjedhjet parlamentare”, tha Celibashi në deklaratën e kësaj të premteje për mediet.
Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë që shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë të votojnë në 14 maj, është duke qenë të pranishëm në qendrat e votimit brenda vendit.
Ai shtoi se synimi është që vota e emigrantëve të garantohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nëse procesi realizohet me sukses, shtetasit shqiptarë të cilët kanë më shumë se 3 muaj që jetojnë jashtë vendit duhet të regjistrohen në faqen zyrtare te Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku në një formular elektronik duhet të deklarojnë të dhënat personale dhe vendbanimin e tyre të përhershëm.
Nëse votuesi nga jashtë nuk ka deklaruar vendbanimin e tij ose të dhënat e formularit përkatës elektronik nuk përputhen me ato të Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, atëherë kërkesa për regjistrim refuzohet.
Nëse kërkesa për regjistrim pranohet emigranti hiqet nga lista e zgjedhësve brenda vendit dhe përfshihet në një listë të posaçme për diasporën. Në drafti e hedhur për konsultim identifikimi i votuesve nga jashtë vendit parashikohet të jetë biometrik.
Procedura për regjistrimin e emigranteve shqiptare nis jo më vonë se 15 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve parlamentare nga kreu i shtetit dhe përfundon jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.