Pak ditë më parë Presidenti i Republikës dekoroi Avni Rustemin me dekoratën më të lartë me rastin e  125-vjetorit të tij të lindjes. Le të hedhim pak dritë se si u gjykua vrasja e gjeneral Esat pashë Toptanit në Paris.

Gjyqi i vrasësit Avni Rustemi në Paris, lirimi i tij, autopsia mjeko-ligjore e Gjeneral Toptanit, e cila hedh poshtë gjithçka që është thënë deri tani rreth kësaj ngjarje të bujshme, pritje me nderime e vrasësit në Shqipëri, janë elementë të rëndësishëm të saj. Nga mënyra se si janë përmendur e servirur ngjarjet, ato ngjajnë më shumë me subjektin e një romani policesk. Një vrasës i paguar që pritet si hero në vendin e tij dhe nis menjëherë karrierën politike (çmimi i paguar në emër të aktit të kryer) është pikërisht ajo që meriton një popull që nxjer të tillë “trima”. Por “trima” të tillë, siç ka treguar historia në mbarë botën, nuk e  kanë as jetën e as karrierën të gjatë, sepse kur e ndërton me prapaskena, tradhëti, shitje e blerje, madje dhe vrasje, çfarë mund të presë tjetër në këmbim? Ai djaloshi, Avni Rustemi, që u prit në Shqipëri si hero se vrau gjeneral Esat pashë Toptanin, në fakt u la i lirë nga gjykata franceze sepse autopsia dhe dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje treguan të kundërtën. A e kuptuan shqiptarët përse u la i lirë një njeri që vrau në Paris? A e kuptuan shqiptarët se asnjë gjykatë franceze nuk do të linte kurrë të lirë një vrasës, kushdo që të ishte ai, por vetëm atëherë nëse ai nuk do të ishte vrasësi i vërtetë? Madhe edhe “trimi” Avni Rustemi tha në gjyq se nuk e kishte vrarë ai Esat pashë Toptanin. E në fakt, si mund ta kishet vrarë, kur plumbat që i sollën vdekjen ishin shtënë pas kurrizit dhe jo përballë, ku qëndronte djaloshi i pafajshëm shqiptar, Avni Rustemi.

  Gjeneral Toptani, siç e vërtetoi autopsia dhe analiza mjeko-ligjore, nuk u vra nga Avni Rustemi, siç pretendojnë shqiptarët, por nga dikush tjetër që nuk ishte përballë tij. Avni Rustemi shërbeu si karremi i përkryer, si student shqiptar që kishte nevojë për ndihmë dhe Gjeneral Esat pashë Toptani u ofrua të ndihmonte në gjithçka, si shqiptar. Vrasësi i supozuar u la i lirë dhe ai i vërteti nuk u gjet kurrë, siç ndodh rëndom me vrasjet me prapaskena dhe motive politike. Kjo i shërbente edhe Italisë, që tashmë e konsideronte gjeneral Esat pashë Toptanin si armik të betuar të saj, u shërbente të gjithëve që i kishin borxh Gjeneral Toptanit luftën heroike në përkrahje të forcave të Antantës tre-palëshe. Për mua, kjo nuk ndryshon asgjë, madje edhe artikujt që u botuan në atë kohë në lidhje me vrasjen e Gjeneral Toptanit e prapaskena të tjera, i kam lexuar për kureshtje të përgjithshme, sepse aasgjë nuk do të ndryshonte më.

  Këtë vrasje të mirëfilltë politike e gatuan ata (qeveria) që nuk kanë asnjë interes t’i shkojnë të vërtetës deri në fund, por kanë vetëm një qëllim, marrjen e pushtetit me mënyra kaq “demokratike” siç është vrasja. Kur vetë Mbretëria dhe Qeveria e Kombit nuk dëshiron t’i shkojnë deri në fund të vërtetave të tilla, përse duhet të kudjesen evropianët? Qeveria shqiptare nuk e mori trupin trupin e tij për ta varrosur në tokën  për të cilën luftoi dhe e mbrojti, por e lanë pa varr, në vend të huaj për ta, por jo për për gjeneral Esat pashë Toptanin që Franca e konsideroi mik. Familja e ngushtë e të ndjerit Gjeneral Toptani bëri tentativat e saj për të sjellë trupin e tij që të prehej në Shqipëri, madje trupi i tij u balsamos nga nëj shoqëri funerale në Paris, me porosi të familjes. Më vonë iu kërkua leje përfaqësisë shqiptare për të transportuar në Tiranë trupin e të ndjerit ku familjarët prisnin që të kryenin  një varrim të denjë, por asgjë nuk ndodhi.

  Leja u miratua nga ministria e Punëve të Brendshme dhe e Jashtme të Shqipërisë, të paktën sipas dokumenteve që disponohen në dy gjuhë, në shqip dhe frëngjisht, në datat 8.8.1922 dhe 10.8.1922 me numër dokumenti zyrtar 2033/1 dhe nr. 1278. Në fakt trupi nuk erdhi kurrë në Shqipëri. Në fakt të gjtihë qeveritë, që nga ajo kohë e deri më vonë, nga viti 1922 dhe në vazhdim, treguan vlerat dhe traditat e tyre, për të cilat secili nga ne ka lexuar shumë, për të cilat vetë Gjeneral Toptani ishte krenar. Dihen shumë mirë traditat tona për plotësimin e amanetit të të parëve, për mbrojtjen e besës, për nderimin e të vdekurve, nderimin e luftëtarëve të lirisë, nderimin e familjes e familjarëve. E treguan kaq hapur e pastër, se çfarë respektojnë dhe nderojnë kaq shumë. Ende e konsiderojnë tradhëtar sepse ndihmoi serbët gjatë luftës, në një kohë kur, si serbët, si shqiptarët ishin pozicionuar në favor të “Antantës Tre-palëshe” e askush nuk u referohet dokumenteve të ministrisë së Luftës së së Francës, në të cilat shkruhet qartë se çfarë iu kërkua gjeneral Esat pashë Toptanit nga Franca, si aleati kryesor në luftë. Ndoshta shqiptarët nuk dinë çfarë janë aleancat dhe nuk e kuptojnë filozofinë e tyre.

  Janë botuar të gjithë korrespodencat e Gjeneral Toptanit me ushtarakët e lartë francezë në detyrë në kohën e luftës dhe Ministrit të Jashtëm francez të kohës, ku i kërkohej Gjeneral Toptanit, si aleat, të shpëtojë ushtrinë serbe dhe t’i lejojë ata të kalojnë nga tokat shqiptare. Nuk ishte faji i Gjeneral Toptanit nëse edhe serbët ishin pozicionuar përkrah aleatëve fitues dhe as faji i tij nëse gjendej në të njëjtin krah papritur me armiqtë e vjetër të shqiptarëve, në përkrahje të një kauze akoma më të madhe. A duhet të mendojmë se vrasja e Gjeneral Esatit ishte vetëm politike? A mund të ketë diçka më shumë se kaq? A do të shkojnë ndonjëherë historianët deri në fund të zbardhjes së saj, të paktën pët të treguar besnikërinë ndajë të vërtetës?

  Të gjithë bashkëkombësit e mi e quajnë tradhëti të hapur atë që Gjeneral Toptani ndihmoi serbët gjatë tërheqjes së tyre në Luftën e Madhe, pasi vetë ata e tradhëtuan me derdhi, e vranë dhe e lanë pa varr, edhe familja e tij e madhe, me kaq shumë burra të fisëm e të kulturuar në radhët e saj. Sa shumë ia përbaltën figurën shqiptarët, a thua se Gjeneral Toptani ishte e keqja prej së cilës nuk po mundnin dot të lulëzonin me begati! Po sot, përse po vazhdojnë të vriten mes tyre? Përse nuk po zgjidhin asgjë nga ato që pretendojnë? Përse vazhdon baltosja, shpifja, ndjenja e urrejtjes, armiqësisë, përçarja, vëllavrasja, krimi, korrupsioni; kush e kush të marrë pushtetin nëpërmjet dhunës e luftës? Evropa nuk zgjodhi ti mbështesë shqiptarët, as në Konferencën e Paqes dhe këtë e tregoi qartë e hapur se nëse nuk do të ishte ndërhyrja e fuqishme e presidentit amerikan Uillson, sot nuk do të kishte më Shqipëri.

  Askush nga shqiptarët nuk e ka përmendur rëndësinë e takimit të Presidentit Uillson me gjeneral Esat pashë Toptanin dhe as rëndësinë e takimeve të shpeshta me të dërguarin e Presidentit Uillson në Paris, Stephen Bonsal, i cili ka treguar qartë se kush ishte Gjeneral Toptani dhe çfarë ishte në gjendje të bënte për Shqipërinë dhe lirinë e saj. Këto takime patën ndikim të veçantë për vendosjen e fatit të mëvonshëm të Shqipërisë, madhe Gjeneral Toptani e kërkoi hapur në Konferencën e Paqes praninë amerikane në Ballkan dhe mbrojtjen që kërkonte Shqipëria prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke i kushtuar atij personalisht armiqësinë me të gjithë Evropën, sepse askush nuk e dëshironte praninë amerikane në Ballkan në atë kohë.

  Edhe unë vetë, si ushtarak, kam qenë dakord me praninë amerikane në Evropë dhe Ballkan, por për mendimin tim, Amerika, vetëm pas luftës së Parë Botërore do të shfaqej si superfuqi botëerore. Shqiptarët u ndjenë të tradhëtuar nga Evropa, por Gjeneral Toptani, mbi të gjitha u tradhëtua nga shqipatrët e tij. Shqiptarët, duke e nisur shtetbërjen me vrasje të mirëfillta politike, duke e vazhduar edhe sot e gjithë ditën me dhunë e luftra të brendshme ndërmjet tyre, shfaqjen e një fjalori të vrazhdë të komunikimit midis tyre, një fjalor mjeran, një gjuhë rrugaçërie që shfaqin politikanët tanë rëndom, tregon se ne jemi Orient dhe jo Evropë, se ne jemi të prapambetur dhe jo mendjehapur. Përse Evropa duhet të kuptojë sot se çfarë kanë qenë shqiptarët në të kaluarën, kur ata sot po e tregojnë më së miri se ç’janë të aftë të bëjnë me njëri-tjetrin?

  Kundërshtarët politikë të Gjeneral Toptanit filluan sulmet kundër tij që prej largimit të tij nga Qeveria e Vlorës. U tha se gjeneral Esat pashë Toptani kishte vrarë Hasan Riza Pashën, komandantin osman që u vu në krye të Luftës së Shkodrës. Askush në Shqipëri nuk shkroi siç u bë në shtypin turk e në disa gazeta të tjera evropiane për vrasësin malazez Pedelin, i cili ishte paguar 6 mijë lira ari për të vrarë gjeneral Hasan Riza Pashën. Të gjitha gazetat dhe burimet e lajmeve zyrtare në Stamboll e kanë publikuar në disa numra rresht lajmin mbi zbulimin e autorit të vrasjes së Hasan Riza Pashës në Shkodër, por në Shqipëri kjo nuk ishte “e rëndësishme”, duhej patjetër që Hasan Riza Pashën ta kishte vrarë Esat pashë Toptani, se kështu u interesonte disa shqiptarëve. Vetë Turqia nuk e ka akuzuar kurrë Gjeneral Toptanin për diçka të tillë. Megjithë marrëdhëniet e mëvonshme, aspak miqësore ndërmjet Gjeneral Esatit dhe Portës së Lartë, asnjëherë nuk u akuzua nga turqit për një vrasje të tillë.

  Kur Gjeneral Toptani pranoi ftesën për të qenë pjesë e Qeverisë së Vlorës, ai u prit në Vlorë prej Ismail Qemalit si hero që mbrojti Shkodrën dhe qëndroi në krye të luftës deri në fund. Pas largimit të tij nga kjo qeveri, Gjeneral Toptanin filluan ta sulmojnë e ta quajnë tradhëtar. Tradhëtar, se mbrojti Shkodrën, se luftoi deri në fund, kur ata që e akuzonin rrinin nën hije duke kuvenduar? Mjafton të përmend “Lufta e Shkodrës” dhe dëshmia e korrespodentit italian të luftës Gino Berii për të mos patur më paqartësi se si u zhvillua dhe përfundoi Lufta e Shkodrës. Shkodra u mbrojt si pak qytete në histori. Ky qytet nuk u mund aspak, por ajo u dorëzua para urisë dhe sëmundjeve; mbarimit të municioneve, ushqimeve, mjekimeve dhe jo para ushtrisë kundërshtare. Nga të gjithë qytetet e krahinat e tjera shqiptare, Shkodra është i vetmi qytet që Shqipëria nuk e humbi. Shkodra sot është Shqipëri, por ku është Janina sot, Manistiri, Kosova, Sanxhaku e shumë qytete  të tjera shqiptare? Një njeri si Gjeneral Toptani, që ishte aq i pasur nga trashëgimia e tij familjare dhe prej karrierës së tij ushtarake, për sa para do ta shiste vendin e tij vallë? Sa mund ta kenë paguar serbët apo malazezët Gjeneral Toptanin për të blerë emrin e tij?

  Të pamoralshëm janë në vendin tonë këta 30 vitet e fundit pjesa më e madhe e politikanëve dhe pushtetarëve që merren vetëm me gënjeshtra e shpifje, të cilat vetëm helmojnë të vërtetën dhe sa çudi që kanë ende njërëz që iu shkojnë nga pas. Përse shqiptarët iu besojnë kaq lehtë gënjeshtrave, kurse dokumenteve dhe korrespodencave të botuara në shtypin prestigjoz të kohës e kanë të vështirë ta besojnë? Sa qytete dhe kështjella në luftrat historike janë dorëzuar nga gjeneralë të shumtë, përpara pamundësisë për të vazhduar luftën dhe që janë dorëzuar nën nderin e armëve, njësoj siç ndodhi në Shkodër në përfundim të luftës? Po përse nuk janë quajtur tradhëtarë edhe ata që ia dorëzuan Shkodrën Sulltan Mehmetit pas rënies së Krujës? Përse venecianët nuk janë akuzuar kurrë për tradhëti me dorëzimin e tyre? Përse shqiptarët nuk marin parasysh fakte të tilla para se të akuzojnë? Për çfarë motivi duhet të vdisnin edhe ata pak njerëz të mbetur brenda rrethimit në Shkodër, kur dihej që dy nga Fuqitë e Mëdha e kishin vendosur që Shkodra do të mbetej Shqipërisë dhe askush nuk e kundërshtonte dot këtë fakt? Gjeneral Toptani e dinte fare mirë se fati i Shkodrës ishte vendosur nga ndërkombëtarët, por duhet të vazhdonte qëndresën së bashku me ushtrinë e tij derisa të jepej vendimi i prerë nga Fuqitë e Mëdha. Në shumë dokumente që ekzistojnë për këtë problem, në njërin prej tyre shkruhet: “Datë 12 qershor 1915, Ministria e Jashtme Italiane. Ambasadori i Italisë në Durrës informonte ministrin italian: Pushtimi serb i Tiranës ishte në kundërshtim të plotë me deklaratat e Pashiçit. Gavrilloviçi përsëriti për Gjeneral Toptanin, në praninë time, se kolonelët serbë kishin marrë urdhër nga lart për të vendosur qetësinë dhe rendin dhe se kjo gjë do të ndodhte shpejt. Për këtë pasti diskutime ndërmjet përfaqësuesve serbë dhe Gjeneral Toptanit. Ky i fundit u kujtoi serbëve angazhimet e marra rreth respektimit të integritetit territoral të Shqipërisë, duke mos fshehur dyshimet personale për Gavrilloviçin. Unë u përpoqa të qetësoj, por Gjeneral Toptani, tepër i irrituar, i ka deklaruar të dërguarit nga Serbia se ai jo vetëm nuk ka nxitur dërgimin e serbëve në Tiranë për të ruajtur ndonjë rregull a qetësi të pretenduar, por se me ndihmën tonë (të italianëve) do të jetë gati të kundërshtojë mendimin dhe veprimet e serbëve me ndihmën e armëve”. Ky është një ndër dokumentet e shumtë të kësaj periudhe që gjendet edhe sot në arkivin e Ministrisë së Jashtme të Italisë.

  Më bën përshtypje fakti se si të njëjtët shqiptarë që akuzonin Gjeneral Toptanin për tradhëti, nuk e përmendin asnjëherë luftën në Janinë, tokë shqiptare e cila duhej të mbrohej njëlloj si Shkodra. Garnizoni i Janinës, pas muajsh qëndrese në luftë, u dorëzua papritur brenda një nate, një nate të çuditshme, kryesisht me dezertimin e forcave shqiptare. Asnjë shqiptar, as atëherë e as tani, nuk e përmend këtë fakt, i cili nga gazetërët e huaj është trumbetuar me të madhe. Përse Gjeneral Esati i Janinës që dezertoi së bashku em ushtarët shqiptarë brenda natës nuk ishte tradhëtar dhe Gjeneral Esati i Shkodrës që luftoi deri në fund ishte dhe vazhdon të jetë tradhëtar për shqiptarët? Paradoks i madh e vështirë për tu kuptuar. Janë po këta udhëheqës shqiptarë që dje ishin aleatë me kundërshtarët e Francës, të cilët i shpëtoi vetëm gjeneral Esat pashë Toptani duke i rreshtuar përkrahfituesve, janë po këta shqiptarë që në Konferencën e Paqes në Paris shkuan të ndarë në katër delegacione, aq sa çuditën gjithë botën mbarë, a thua se Shqipëria ishte aq e madhe sa duhej të përfaqësohej nga delegacione pa fund.

  Vetëm brenda gjashtë muajve, nga korriku deri në dhjetor 1921, qeveritë shqiptarë u ndërruan së paku pesë herë, duke treguar papjekurinë dhe pamundësinë e tyre për të bërë shtet. Përplasjet e vazhdueshme ndërmjet krerëve politikë  që donin të ishin gjithsecili i pari, ishin të përditshme në atë kohë, por edhe sot dhe nuk përbën më lajm. Përse këta politikanë janë vazhdimisht në luftë me njëri-tjetrin, jo për interesat e popullit dhe vendit, por për të vjedhur dhe u pasuruar sa më shumë vetë, duke shtyrë dhe nxitur shqiptarët për përplajse ndërmjet tyre? Çfarë politike është kjo? Përse levantinët e politikës e kanë kaq të vështitë të mësojnë e dëgjojnë perëndimorët dhe këshillat që vijnë nga SHBA? Përse nuk mësojnë nga gabimet e të tjerëve? Kush e paguan realisht çmimin për këtë? Po populli, a e kupton se çfarë po i bën vetes duke ndjekur këta politikanë të korruptuar? Politikanët dhe pushtetarët e korruptuar nuk e duan Evropën, shtetin e së drejtës, sepse vetë janë të kriminalizuar. Kjo shtresë levantinësh duhet të largohet, koha rezulton se ata janë dhe duhet të jenë jashtë derjtimit të vendit; vetëm kështu mund të shpëtojë Shqipëria dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë; duhet brezi i ri i shkolluar jashë e brenda vendit që të marrë fatet e kombit në dorë.

  Gazeta “The Specator” në muajin maj 1913, në artikullin që kishte për Esat pashë Toptanin, e cilësonte atë si “Princ të shqiptarëve”. Më pas po kjo gazetë ka publikuar artikuj të shumë si: “Princ Vidi në Shqipëri dhe qeverisja e tij e shkurtër”, artikulli tjetër: “Akuza ndaj oficerëve holandezë për jugun e Shqipërisë”, “Si e mbështëtn oficerët holandezë Jorgo Zografin për të përfituar Gjirokastrën”, “Gjeneral Toptani dorëhiqet, oficerët holandezë kërkojnë ta vrasin duke gjuajtur me top shtëpinë e tij”. Në gazetën “Dielli” kemi një tjetër artikull që mban datën 17 mars 1914 me titull: “Gjeneral Esad pashë Toptani, mbrojtësi i Shkodrës, emërohet komandant fuqiplotë i ushtrisë dhe do të niset për të çliruar tokat në Shqipërinë e Jugut nga kthetrat greke”. Oficerët holandezë të Princ Vidit bënë ç’është e mundur për ta penguar Esat Toptanin dhe trupat e tij për të çliruar tokat shqiptare në jug të vendit, madje edhe pasi ai dha dorëheqjen, nuk u kënaqën me kaq, por i vunë topin në derën e shtëpisë, i cili donte vetëm të çlironte tokat e Shqipërisë.

  Gjenerali francez Sorrail ka vlerësuar luftën e madhe në lidhje me gjeneral Esat Toptanin dhe garnizonin e shqiptarëve, shërbimin e tyre të shkëlqyer përkrah trupave franceze dhe ndihmën e madhe që i kanë dhënë Aleancës. Ta kenë lexuar gjeneralin Sorrail vallë shqiptarët? A e dinë ata se çfarë thuhet në këto dokumente për Gjeneral Toptanin dhe trupat e tij që nderoi mbarë Shqipërinë në luftë? Në 4 tetor 1918, gazeta “Tribune de Geneve” boton një interevistë të Gjeneral Toptani. Ai theksonte se Shqipëria besonte shumë tek përfundimet që do të vinin nga Konferenca e Paqes dhe shpresonte po kaq shumë se besnikëria e saj ndaj Antantës do të shpërblehej, duke mos mbështetur idenë e copëtimit të tokave shqiptare.

  Në intervistën dhenë gazetës “Journal de Geneve”, në 5 tetor të atij viti, Gjeneral Toptani theksonte se shqiptarët nuk i trembeshin Italisë. “Italianët e vërtetë nuk janë imperialistë, – shprehet në intervistën e radhës gjenerali shqiptar, -italianët e vërtetë e dinë që vendi i tyre ka interes të jetë mik i Shqipërisë”. Një dokument i publikuar nga Rusia bolshevike flet në lidhje me Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe prapaskenat e të mëdhenjve në kurriz të të vegjëlve. Në 16 prill 1915 Shqipëria rreshtohet përkrah forcave të Antantës për të qenë pjesë e këtij blloku fitues dhe vetëm gjashtë muaj më pas, Franca, Italia, mike dhe e interesuar për Shqipërinë, së bashku me Rusinë, nënshkruan ndarjen e fshehtë të Shqipërisë, ku Vlora i jepej Italisë së bashku me ishullin e Sazanit dhe toka të tjera në jug të vendit, ndërsa veriu do ti kalonte Serbisë. Ishin po të njëjtët ambasadorë që nënshkruan traktatin për krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1913. Pasi u trajtuan në një formë të tillë, prapa krahëve, çështja shqiptare u trajtua po kështu edhe në Konferencën e Paqes në Paris, ku pa mbështetjen e presidentit amerikan Uillson, nuk do të ruheshin as kufijtë që vetë Fuqitë e Mëdha caktuan për Shqipërinë në vitin 1913.

  Memorandumi i Gjeneral Toptanit në Konferencën e Paqes, botuar në gazetën “The Spectator”: Ai kërkoi prej presidentit Uillson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pranojnë vendosjen e një protektorati amerikan mbi shtetin shqiptar, të paktën mbi atë që njihej në kufijtë e vitit 1913. Po kush mund ta dëshironte diçka të tillë në Evropë? Kush kishte dëshirë nga evropianët që SHBA-ja, superfuqia e re botërore, të kishte dorë të lirë në detin Mesdhe dhe në Ballkan? Sigurisht, për Shqipërinë kjo do të ishte një zgjidhje e përkryer e ndoshta edhe zgjidhje përfundimtare e çështjes së tyre, por që Evropa nuk do ta lejonte kurrë. Ndërkohë, pas mbarimit të luftës, aleatët duhet të mbanin premtimin dhe të mos preknin më kufijtë e Shqipërisë, të cilën duhet ta ndërtonin vetë shqiptarët. Kjo binte ndesh me Traktatin e Fshehtë të firmosur kohë më parë, ndaj vdekja e Gjeneral Toptanit nuk u shërbente vetëm kundërshtarëve të tij politikë, por qeverisë së shqiptarëve që organizoi vrasjen, të huajve që e servirën aq bukur atë çka ndodhi. Kundërshtarët politikë të Gjeneral Toptanit menduan se duke e vrarë do të ishin të lirë për të qeverisur ashtu siç donin.

  Gazeta “Le Temps”, e datës 13 qershor 1920, ka botuar një intervistë të gjatë të Gjeneral Toptanit, e cila është realizuar pak minuta para vrasjes së tij në hollin e hotelit “Continental”. Në këtë intervistë ai ka folur gjatë për çështjen shqiptare dhe trajtimin që duhet ti ishte bërë asaj nga Konferenca e Paqes. Pikërisht kjo intervistë e dhënë ditën e vrasjes së tij është komentuar gjatë edhe nga agzeta londineze “The Times”, e datës 14 qershor 1920, në numrin e së cilës shperhen qartë dyshimet e vrasjes së Gjeneral Toptanit nga Avni Rustemi, i cili edhe pse shërbeu si karremi i përkryer, nuk ishte ai që tërhoqi këmbzën. Në numrin e  gazetës “Le Figaro” të datës 14 qershor 1920, në artikullin “L’Assassinant d’Esad Pacha” është edhe dëshmia okulare e sekretarit të Gjeneral Toptanit, Gjergj Goga, i cili ndodhej me të në momentin e atentatit. “Le Figaro” i ka bërë një përshkrim të mrekullueshëm gjeneral Esat pashë Toptanit dhe historikut të karrierës së tij nën veshjen ushtarake. Në kombin tonë, për këtë ngjarje, shtypi hesht, vrasësi pritet si hero nga levantinët në pushtet, kurse Gjeneral Toptani që u vra padrejtësisht, konsiderohet tradhëtar. Sa çudi dhe marrëzi! Tani me të drejtë lind pyetje: Kush duhej të dekorohej, vrasësi me pagesë, apo i vrari?

Nga Novruz Zejnati

Kolonel. R