Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit është zënë ngushtë dhe nuk ka pranuar të komentojë lidhur me ekstradimin e Izet Haxhisë, i cili është dënuar me 25 vjet burg nga gjykata për vrasjen e babait të saj në shtator 1998.

"Vije veten në pozicionin tim", i tha ajo gazetares Dajana Shabani e ftuar sot në mëngjes në emisionin "Ditë e Re" në Ora News.

'Nuk kam dëshirë të përgjigjem. Vije veten tënde në vendim tim. Është një gjë që unë për momentin jam e fokusuar në një gjë tjetër."

Por çfarë mendon Rudina Hajdari për rihapjen e dosjes së vrasjes së babait të saj:

"Është diçka që unë nuk kam dëshirë të flas. Ti je gazetare, bën pyetjet dhe nuk shikon anën emocionale dhe sa mund të ndikojë. Por ajo që unë dua, është që Shqipëria të bëhet më mirë. Kjo është dëshira ime më e madhe, sepse mund të kesh shumë dëshira. Ajo ëndërr e atij u ndërpre. Ky është misioni im, të vazhdoj ëndrrën e babait".

Rudina ishte vetëm 10 vjeçe kur u vra babai i saj. Në 2002-shin u largua nga Shqipëria, asokohe vetëm 14 vjeçe, kur nisi menjëherë shkollën në Amerikë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Rudina Hajdari nisi studimet e larta në degën e shkencave politike, ku dhe i mbaroi me rezultate të mira. Prej 2017-s është deputete e Partisë Demokratike dhe është nënë e një vajze 2 vjeçe.

Pak ditë më parë u ekstradua nga Turqia, Izet Haxhia i dënuar me vendim gjykate me 25 vjet burg si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit demokrat. Haxhia ka mohuar një akuzë të tillë, thotë se ndaj tij është bërë një gjyq i padrejtë dhe në mungesë dhe ka kërkuar rihapjen e dosjes. Këtë javë do të jetë Gjykata e Tiranës e cila do të shqyrtojë ankimimin e tij.