Shprehja e famshme “Mos shko në shtrat i zemëruar” ka qarkulluar për breza me radhë si një këshillë e artë për çiftet. Por a është kjo gjithmonë zgjidhja më e mirë për marrëdhënien, dhe për gjumin tuaj?

Sipas psikologes klinike Dr. Samantha Rodman Whiten, për disa çifte, grindjet mbrëmjeve duken të pashmangshme dhe ndonjëherë të nevojshme. Kjo është veçanërisht e zakonshme tek personat që janë rritur në familje me dinamika konfliktuale, ku përballja e menjëhershme me problemet shihej si domosdoshmëri.

Për të tjerë, shtysa për të “mos fjetur pa zgjidhur” mund të vijë nga frika e zemërimit të pazgjidhur, që mund të akumulohet dhe të çojë në pakënaqësi më të thellë. Dr. Sabrina Romanoff, psikologe në New York City, thekson se shumë njerëz ndihen të detyruar të japin përparësi lidhjes para se të zhyten në gjumë – si një thirrje për lidhje emocionale përtej konfliktit.

Por çfarë ndodh kur jemi të rraskapitur?

Sipas ekspertëve, zgjidhja e konflikteve në mbrëmje vonë mund të bëhet bumerang. Kur jemi të lodhur, emocionet janë më të forta dhe kontrolli mbi to më i dobët. Aftësia për të dëgjuar, për të arsyetuar dhe për të komunikuar qartë bie ndjeshëm, duke e bërë më të lehtë që të themi gjëra që nuk i mendojmë vërtet dhe për të cilat më vonë do të pendohemi.

Nga ana tjetër, një gjumë i mirë mund të bëjë mrekulli. Truri ynë përpunon emocionet gjatë natës dhe zvogëlon reagimet ndaj stimujve negativë. Siç shpjegon Dr. Romanoff, një tru i pushuar është më i aftë për të komunikuar në mënyrë të qetë dhe konstruktive.

Kur tërheqja është më e mençur se përballja

Në rastet kur jeni shumë të zemëruar për të fjetur, kjo mund të lidhet me atë që Dr. Whiten e quan “panik lidhjeje” – frika se partneri po largohet emocionalisht ose nuk na do më. Kjo është arsyeja pse një nga partnerët mund të ndiejë nevojën për ta zgjidhur debatin menjëherë, edhe kur tjetri ka nevojë për kohë.

Zgjidhja? Dakordësia për të folur më vonë, kur të dy jeni më të qetë. Kjo ul tensionin, ruan ritmin e natës dhe ju lejon të flini më mirë.

Si të kujdeseni për lidhjen, edhe gjatë një grindjeje

Dr. Romanoff rekomandon që, pavarësisht debatit, të mos shmangni ritualet e zakonshme të mbrëmjes, si të thënit “Të dua” apo një përqafim i thjeshtë. Këto gjeste të vogla dërgojnë një mesazh të madh: marrëdhënia është më e rëndësishme se një debat i vetëm.

Gjithashtu, teknikave si meditimi, frymëmarrja e thellë, apo edhe larja e duarve me ujë të ftohtë mund t’ju ndihmojnë të vetërregulloheni dhe të qetësoheni para se të flini.

Në fund të ditës…

Mosmarrëveshjet janë pjesë normale e çdo lidhjeje. Por ajo që ka rëndësi është si i përballoni. Disa beteja vlejnë të shtyhen për nesër. Jo çdo problem ka nevojë për një zgjidhje të menjëhershme – ndonjëherë, pak gjumë dhe qetësi mund të jenë përgjigjja më e mirë.