71-vjeçari në zonën e plazhit, është rasti i fundit dhe i vetëm i infektuar me koronavirus në qytetin e Durrësit, i identifikuar më 4 maj.

Ndonëse me një rast, Durrësi vijon të jetë pjesë e zonës së kuqe, sa i përket mbetjes në fuqi të masave kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, bashkë me bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Tiranë dhe Fier.

Sipas qytetarëve të Durrësit, qeveria duhet përfshijë në hartën e zonave jeshile edhe qytetin bregdetar pasi sipas tyre, pandemia ka marrë fund.

“Pandemia mori fund, s’ka më pandemi për arsye se vetë rraca shqiptare është imune“, thotë një qytetar.

Ndonëse shprehen se duhet të ketë lehtësim masash, durrsakët theksojnë se kujdesi nuk duhet të mungojë gjatë gjithë kohës.

“Të lehtësohen masat, të lëvizim pak se jemi mbyllur brenda, u paralizuam nga këmbët”, thotë një zonjë.

Në Durrës ku u shënua dhe rasti i parë me vdekje nga koronavirusi në Shqipëri, deri më tani janë regjistruar 5 viktima, ndërsa të infektuarit e tjerë janë shëruar.

Kujtojmë që hartës së zonave jeshile në vend iu shtua së fundmi Lushnja, Patosi, Roskoveci, Korça, Hasi, Kukësi, Lezha, Mirdita, Fushë-Arrëzi, Malësi e Madhe, Puka, Vau i Dejës, Kavaja dhe Vora. 

Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbra me automjet privat (duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje) deri në orën 21:00.

G.D.