Nga BUJAR QESJA

Kam vendosur në desktopin e kompjuterit të punës, disa pamje. Janë në rradhën e emergjencës, pra të publikimit sa më të shpejtë. Me këto pamje fjalosem tërë kohën. Personazhe të gjalla dhe kapiturj të veçantë të jetës sportive, shoqërore dhe qytetare. Gjatë punës time të gjatë në profesionin e gazetarit profesionist, kam njohur shumë e shumë figura sportive dhe njerëzore. Sportistë të zot, të aftë, por mbi të gjitha njerëz të mënçur me botë të pastër dhe të pasur shpirtërore.

Ajo që më ka bërë përshtypje dhe vazhdon të më bëjë, është miqësia e pastër njëri me tjetrin. Dhe nuk janë të një ekipi, madje janë kundërshtarë dhe rivalë. Dhe nuk janë të një qyteti. Por miqësia dhe respekti që kanë patur dhe vazhdojnë ta kenë për njëri tjetrin, është një leksion qytetarie.

Vështroni pamjen që po shfaq. Është kryemjeshtri i volejbollit Vangjel Koja. Është Xhela. Tërë jetën me çantën e volejbollit në krah, si një marathonomak i përjetshëm, duke ecur dhe ecur në rrugën aq të bukur të sportit të rrjetës. Në këtë shtegtim të gjatë, hasi me tre të ngjashëm si veten. Së pari si qytetar, ku vlerat i mbulojnë ata si rrobat e trupit. Së dyti së volejbollistë. Së treti si trajnues dhe së katërti si miq e shokë të përjetshëm. Sa i privilegjuar kam qenë dhe mbetem në gjirin e tyre! Sa kam mësuar! Sa kam përfituar! Dhe nëse në jetë parimet e mia kanë qenë të palëkundura, është edhe meritë e këtyre mjeshtrave njerëzor, e mjeshtrave e kaluar mjeshtrave të sportit.

Vangjel Koja! Kreshnik Tartari! Krenar Golashi! Leonard Tase! Çfarë katërshe! Çfarë brilantësh! Çfarë engjëjsh që ndriçojnë historinë e volejbollit të kombit! Pse janë të njohur? Sepse kanë qenë dhe janë të thjeshtë. Sepse kanë menduar dhe mendojnë, se janë në detyrat e tyre njerëzore dhe qytetare. Sepse janë në misionin e përcaktuar nga vetja dhe shoqëria, për të qenë korrektë dhe të ndershëm, për të qenë të paqtë dhe rrezatues të së mirës, për të qenë dhe mbetur idhujt të inkurajueses masive të sporteve.

Kreshnik Tartari!Leonard Tase! Vangjel Koja!Krenar Golashi! Një katërshe që i mbetet si kurorë lavdie sportit tonë. Një katërshe e artë, e florinjtë, e veshur më gëzimin dhe kënaqësinë e shikuesve. Kreshnik Tartari, djali i durrsakut të hershëm Nimet Tartari, këtij futbollisti historik të “Teutës” së viteve 30-të, bëri legjendë. E nisi kapitullin e parë të kësaj legjende si lojtar, e vazhdoi si trajner dhe e përfundoi si drejtues ekselencë të sporteve. Është i shkollës së Vangjel Kojës. Kësaj shkolle i përket edhe Nard Tase, që sot është këshilltar për sportet pranë Presidentit të Republikës. Por është edhe një Nar Golash, kampioni i “Lokomotivës” së vitit 1963 në volejboll, ku së bashku me Lon Llallën, Lluka Priftin, Met Kthupin, Aleksandër Gorenë dhe Daniel Priftin, ndërtuan betonarmenë e traditës së volejbollit të Durrësit.

Krenar Golashi! Leonard Tase! Vangjel Koja! Kreshnik Tartari! Katërshe e gjetur si me dorë. Katërshe konkuruese dhe krenare, kryelartësia e të cilëve varet nga modestia që manifestojnë. Historia e tyre qëndron në punën titanike të kryer. Të kthehesh në idhull, duhet të konkurosh së pari veten, e më pas rivalin. I mbijetuan konkurencës. Djersa e derdhur i qëndron si kurorë dafine në të paqmen e tyre, e më pas në aftësitë e jashtëzakonshme. Krenari dhe vlerë. Vlerë dhe krenari. Traditë dhe histori. Histori dhe traditë. Të gjitha i kishin dhe i kanë këto miq të mi.

Leonard Tase! Krenar Golashi! Kreshnik Tartari! Vangjel Koja! Magjia e këtij kuarteti nuk mbaron jo vetëm këtu, po kurrë më. Trishtim për ndarjen nga jeta të durrsakut Krenar Golashi, këtij kapitulli kurdoherë të ndezur të volejbollit. Kur vinin shokët dhe miqtë nga Tirana, Golashi ynë ishte shënd e verë. Sa mirë shkonin! Sa ëmbël kuvendonin! Sa investim shoqëror kishte ndër ta! Mbeten një leksion i gjallë qytetarie. Shembulli i qartë i mirkuptimit sportiv. Dhe koha që kaloi përtej të luajturit sport, konfirmoi se ato kurrë nuk ishin kundërshtarë dhe kurrë nuk mbetën kundërshtarë. Më mirë se kaq nuk mund të bëhet.

Kësaj katërshe i bashkëngjitet edhe një gazetar, i cili nuk lëvron vetëm sportet, por në sport mori një emër të pazakontë nga vetë natyra publike dhe masive e ndeshjeve të luajtuara. E ruajmë këtë miqësi edhe sot. Dhe këtij kuarteti i bashkëngjitet edhe autori i këtyre rradhëve, ku krenaria dhe gëzimi im mbeten sa ska fjalë ta përshkruajë.

Vangjel Koja, Kreshnik Tartari, Leonard Tase dhe Bujar Qesja. Respekti ruhet si vetë frymëmarrja e jonë. Krenar Golashi, kujtesa dhe mos harresa ruhet si vetë qytetaria e jonë. Të pestë jemi në një foto të përbashkët. Historinë e bëjnë njerëzit e thjeshtë. Dhe e thjeshta gjithnjë çmohet si virtyt. Dhe kjo traditë duhet të ruhet jo tek ne po se po, por edhe më gjërë. Është investim. Është qytetari. Është njerëzore.

Sa mirë do të ishte që kjo të transmetohet dhe të mbahet gjallë. Besojmë se do të ndodhë!