Kryetari grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në News24 ka folur në lidhje me situatën politike pas zgjedhjeve të 14 majit.
Sa i përket deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha për grupimin që ai drejton, Bardhi u shpreh se ata nuk janë një strukturë paralele, por kanë gjithë funksionet dhe strukturat e një partie politike.
Ai u shpreh se nuk ka pasur kontakt me Berishën dhe se nuk ka shqetësim për t’u takuar me askënd, teksa shtoi se për hir të interesit publik do ulet në tryezë më cilindo opozitar duke lënë të hapur një mundësi takimi mes palëve.
Sipas tij ajo që ka sjellë ndarjen me Berishën ka qenë përplasja e këtij të fundit me SHBA-në përmes statusit non-grata, gjë që e dobëson PD-në.
“Ne nuk jemi strukturë paralele, jemi grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ky grup ka kryesinë e tij dhe gjithë funksionet e tjera. Një nga detyrat e mia të para do jetë kontakti me gjithë kolegët.
Ne kemi nevojë të flasim me njëri-tjetrin dhe të shihemi në sy për atë që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe në PD dhe të japim opsionet tona për të forcuar grupin tonë që në zgjedhjet e ardhshme të jemi alternativë për zgjedhjet.
Me Berishën nuk kam pasur kontakt. Nuk kam shqetësim të takoj askënd për të biseduar. Ne ulemi me kundërshtarin tonë sepse interesi publik e kërkon këtë. Për interes publik unë do jem i detyruar të ulem me kundërshtarët e mi politikë. Nuk më ndalon asgjë që të ulem me çdo opozitar për të mirën e përgjithshme. Unë as nuk afroj e as nuk largoj askënd nga PD. Ajo që na ka ndarë me Berishën ka qenë rruga që do ndjekë PD-ja për t’u forcuar. Përplasja me SHBA-në nuk e forcon PD-në, por e dobëson dhe unë nuk mund të jem në të njëjtën linjë. Askush nuk ka asgjë personale me askënd. Non-grata është qëndrim i SHBA-së dhe askush nga ne nuk e zhbën apo kundërshton.
Nëse ky është kusht për të ruajtur marrëdhëniet tona me SHBA-në, edhe nëse Gazment Bardhi do shpallej non-grata do isha tërhequr. Nuk mund të prevalojë interesi personal mbi ato të një force politike si PD. Koha e debatit brenda PD-së duhet të mbyllet. Ky debati me vija të kuqe e ka futur PD-në në konflikt dhe të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e PD-së. Berisha duhet të japë shpjegime për qëndrimet e tij. Secili mban përgjegjësinë e tij mbi qëndrimet politike. Mbajtja gjallë e një konflikti në PD nuk ndihmojnë askënd. Zgjidhja për PD do ishte të kapërcenim veten dhe të bëhemi më mendjehapur për të parë se kush mund ta çojë para PD-në.
Kam dëgjuar kolegë që thonë se Berisha nuk duhet të tërhiqet, por koha e diskutimeve i ka lodhur demokratët dhe shqiptarët. Ne duhet të lexojmë rezultatin e 14 majit dhe të mbajmë në konsideratë atë që është i aftë regjimi i Edi Ramës të bëjë. Unë dua ta shoh PD-në me një ekip të ri dhe nuk ka nevojë për riciklime apo një individ që vendos për gjithçka”, u shpreh ai.