Armand Shkullaku
Për Lulzim Bashën kohët e vështira kanë filluar. Mazhoranca paralajmëroi një betejë të fortë politike me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që shkon nga anulimi i disa lejeve të ndërtimit, rishikimi i planit rregullues e deri tek provokimi për ndërhyrje në zgjatimin e bulevardit të ri. Provës së vështirë të Bashës për të konfirmuar lidershipin e tij në Partinë Demokratike, për të mbajtur të bashkuar opozitën dhe për të krijuar një frymë opozitare, i shtohet kështu edhe barra e rëndë e qeverisjes së kryeqytetit, tashmë që kryeministër nuk është më Berisha. Brenda dy ditëve ai është detyruar të dalë publikisht për të denoncuar shkarkimet e drejtuesve të policisë dhe për të mbrojtur një vendim të bashkisë që i hap rrugë ndërtimit të xhamisë së re dhe një kompleksi komercial ngjitur me të në lulishten përpara Kuvendit të Shqipërisë. Kjo pozitë mes akuzuesit si përfaqësues i opozitës dhe mbrojtësit si administrator i kryeqytetit, mund ta vendosë Bashën në një ngërç që do ta kushtëzonte ndjeshëm rolin e tij opozitar. Ekuilibri mes këtyre dy funksioneve është aq delikat sa çdo devijim rrezikon të shndërrohet në një pengesë serioze për opozitën. Lulzim Basha ka tashmë mbi supet e tij një peshë të dyfishtë, atë të ringritjes së PD dhe të shembullit konkret të qeverisjes së Tiranës.
Rasti i parë që e vuri në provë këtë sfidë të dyfishtë të Bashës ishte anulimi nga ana e kryeministrit Rama i lejes për ndërtimin e kompleksit komercial në krah të xhamisë së re. Ky veprim menjëherë i drejtoi reflektorët nga kryetari i Bashkisë bashkë me akuzat për leje abuzive, mungesë transparence, lidhje të dyshimta përfitimi, etj. Pa përjashtuar asnjë nga këto akuza dhe pa vënë dorën në zjarr për qëllimet e dhënies së lejes në fjalë, është e qartë se anulimi i saj më shumë se një shqetësim për mbrojtjen e qytetit shënon një aksion politik për ta vënë Bashën dhe nëpërmjet tij gjithë opozitën në rrobën e mëkatarit që nuk ka të drejtë morale të ngrejë zërin për bëmat e qeverisë. Një taktikë e tillë është e njohur për të gjithë, edhe për vetë kryetarin e PD, kur Edi Ramës i zhvlerësohej çdo premtim e angazhim për mirëqeverisje nisur nga modeli abuziv që kishte krijuar në bashkinë e Tiranës. Të qenit në opozitë por edhe në pushtet njëkohësisht nëpërmjet administrimit të kryeqytetit, krijon pikërisht atë pozitë delikate që mund të kompromentojë moralin opozitar, aq të nevojshëm për t’u rikthyer në pushtet. Në këtë pikë të ndjeshme, goditjet e qeverisë do vinë duke u shtuar. Anulimi i një leje ishte fillimi dhe ndërhyrja në zgjatimin e bulevardit të ri mund të jetë kulmi.
Lulzim Basha me siguri e ka të qartë gjendjen e ndërlikuar në të cilën i duhet të veprojë. Mbajtja e dy posteve dhe mos implikimi i tyre me njëri-tjetrin është një mision i vështirë. Edi Rama nuk u kritikua se i mbajti dhe i deshi vetëm për vete dy karriget e kryetarit, por sepse njërën prej tyre, atë që e kishte marrë për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës e përdori vetëm për të ndenjurat e veta dhe të një grupi klientelist që e mbështeti në ambiciet e tij politike. Ky abuzim flagrant dhe ky model klientelist e bënë Ramën një shënjestër të lehtë për kundërshtarët e tij, humbës në vitin 2009 dhe nuk e rritën politikisht në 2013-ën. Sepse keqpërdorimi dhe abuzimi me pushtetin i kryebashkiakut vranë moralin opozitar të kryesocialistit.
Për shkak të këtij shembulli të keq që la pas Rama, për Lulzim Bashën është e qartë se si degradon morali politik nëse u nënshtrohet interesave klienteliste dhe nëse pushteti bashkiak përdoret për të shpërblyer besnikët. Ai ka përpara një provë për të treguar me akte se mund të drejtojë PD dhe Bashkinë e Tiranës pa rrezikuar t’i kompromentojë ato. Kryebashkiaku nuk ka në duar vetëm fatin e karrierës së tij politike, por edhe peshën e gjithë moralit opozitar që do të tentojë të ringrihet pas humbjes së rëndë. Në këtë pikë nuk e ndihmon dot askush, përveç vullnetit të tij për të treguar se mundet të ndërtojë një model tjetër nga ai i paraardhësit. I duhet të japë çdo ditë shembuj për këtë, ndryshe akuza si ato për lejen e ndërtimit tek Parlamenti do të shtohen e do të zënë vend. Aktet flasin më shumë se sa dhjetëra deklarata e konferenca shtypi. Nëse nuk abuzohet me pronën publike, nëse nuk ndërtohet sipas interesave por sipas nevojave, nëse ka transparencë në çdo vendimmarrje, nëse promovohen të aftët dhe jo klientët, jo vetëm krijohet një model si aset për gjithë opozitën, por qytetarët mund të kuptojnë shumë qartë se çfarë ka hequr kryeqyteti gjatë qeverisjes së mëparshme. Basha ka pozitën e vështirë, por njëkohësisht edhe mundësinë e madhe që të krijojë një shembull që deri tani po mungon. Një shembull që do ta bënte vërtet lider në këto kohë të vështira për të.





