Nga Reldar Dedaj 

Ende pa u mbushur plot 24 orë nga ngjarja që ndodhi në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, policia është munduar të paraqesë një skenar pak a shumë hollywoodi-an; disa djem të ‘rrezikshëm’ me një oreks të pashuar për para, që kërcejnë me vajza të bukura, në anën e gabuar të ligjit.

Referuar disa pamjeve filmike të publikuar në media, tregohet se partneri i këngëtares Elvana Gjata ndodhej në një lokal nate me këngëtare dhe persona të tjerë. Në të njëjtin lokal ndodhej edhe Ervis Martinaj me Eljon Hakon. Historia vazhdon… dhe rreth orës 21:45, në lokal ka hyrë Fabiol Gaxha dhe është drejtuar drejt Ervis Martinajt.

Ka qenë ky momenti ku shtetasi Ervin Mata, biznesmen, është konfliktuar me Fabiol Gaxhën. Incidenti u interpretua si ngacmim ndaj këngëtares, ku dy personat në fjalë u kapen edhe me grushte.

Kjo është sinteza e përmbledhur në vija të trasha e gjithë asaj kronike që prodhoi një bilanc tragjik në rrugët e kryeqytetit, por që dyshohet të jetë shumë më tepër se kaq.

Së pari, le ta fillojmë nga nyja që herë lidhet dhe herë zgjidhet me ngjarjen: Ervis Martinaj.

36-vjeçari nga qyteti i Laçit nuk është një emër i panjohur për policinë. Emri i tij është lakuar shpesh pas vitit 2013. Pikërisht në këtë vit, Martinaj u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë. Fill pas këtij denoncimi ai u shpall në kërkim. Nga ku dhe hapi portën e ferrit, në të cilën hyri pa kthim.

Kanosja është bërë pas aksionit “Fundi i Marrëzisë”, ku Ervis Martinajt iu sekuestruan 400 makineri lojërash fati, të cilat sapo i kishte blerë dhe disa automjete luksoze. Në atë kohë, mediat shkruanin se Martinaj i kish blerë makineritë nga konkurrenti i tij, Ervis Doçi.

Doçi përflitej si njeri i afërt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dyshohet se ishte vënë në dijeni para nisjes së operacionit “Fundi i Marrëzisë”, duke i shitur makineritë e lojërave të fatit tek Ervis Martinaj.

Po në ato ditë, Ervis Doçi bie në pritën e një atentati në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”. Ai ndodhej në një automjet tip Mercedes Benz ML së bashku me një kushëri të tijin kur gjatë ndalesës në semaforin e një kryqëzimi aty pranë i janë afruar dy persona me motoçikletë.

Dy kushërinjtë mbetën të plagosur në këtë ngjarje dhe u shoqëruan menjëherë në Spitalin e Traumës, ku disa orë më vonë, Ervis Doçi ndërroi jetë. Autorët e ngjarjes mbeten ende të paidentifikuar. Dyshimet ranë mbi Ervis Martinajn, i cili ndjehej i mashtruar nga Doçi, por mbetën dyshime dhe si policia, ashtu edhe prokuroria nuk ka gjetur prova që ta lidhë këtë të fundit me atentatin në fjalë.

Një tjetër ekzekutim i bujshëm ku del sërish emri i Ervis Martinajt është vrasja e bankierit Artan Santo, ngjarje e ndodhur po në zonën e ish-bllokut dhe në mes të ditës në qershor të 2014. Emri i Martinajt u përmend kur gjatë një operacioni të policisë në magazinat e bizneseve të tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra motori të ngjashme me ato të dy autorëve që ekzekutuan bankierin Santo.

Edhe në këtë rast gjithçka mbeti në kuadër të dyshimeve dhe sërish as policia dhe as prokuroria nuk ishte në gjendje që të provonte përfshirjen e tij në këtë ekzekutim të bujshëm.

Një vit më vonë, Ervis Martinaj do të rikthehej sërish në qendër të kronikës së zezë, por këtë herë jo më si i dyshuar, por i përfshirë drejtpërdrejtë në vrasjen e Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në parkingun e një lokali në zonën e Linzës, e filmuar edhe nga kamerat e sigurisë.

Edhe në këtë rast, Ervis Martinaj ia hodhi me një dënim minimal, që nuk do ta pengonte që të rikthehej sërish në qendër të medias në fillim të 2017-s. Këtë herë, emri i tij do të përfshihej në një dosje të bujshme, atë “Shullazi”.

Biznesmeni Ylvi Beqaj, dëshmitari kyç në këtë proces dhe që ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, denoncoi në prokurori Ervis Martinajn si personi përmes të cilit Emiljano Shullazi i kishte çuar dy mesazhe për t’u tërhequr nga padia për ish-Hotel Vollgën në Durrës.

Eljon Hako në vitin 2014, është akuzuar për një vrasje në Shkodër dhe në vitin 2015, ndërkohë që kryente dënimin për vrasjen, nga burgu i Lezhës ka urdhëruar vrasjen e një mjeku në Shkodër, krim i mbetur në tentativë.

Personi i tretë është viktima, Fabiol Gaxha, me precedentë penal.

Ishte person në kërkim. Mbante dokumente identiteti që nuk i përkisnin atij. Ky person është akuzuar se më datë 27 gusht në rrugën “Tahsim Shehu” në Tiranë ka qëlluar me 4 plumba një person me precedentë në fushën e narkotikëve. Personi që është qëlluar nga viktima e natës së mbrëmshme ka arritur të mbijetojë, ndërsa viktima ishte shpallur në kërkim për vrasje në tentativë.

Por, megjithë këtë CV “të pasur” kriminale, duket se ngjarja në fjalë është më e komplikuar, pasi personi që ka shkrepur 9 fishekë në drejtim të Fabiol GaxhasErvis Martinajt dhe Eljon Hakos është një ushtarak i beretave të kuqe, forcave komando elitare të ushtrisë shqiptare.

Komandoja, qitësi më i mirë në Zall Herr

Kemi edhe palën tjetër në konflikt, shtetasin Ervin Mata, biznesmen, partneri i Elvana Gjatës. Ky person shoqërohej nga Fabjol Alushi, 42 vjeç dhe Merviol Bilo, 41 vjeç, oficer i forcave Komando, efektiv i Repartit Special të Zall Herrit. Tre herë pjesëmarrës në operacionet paqeruajtëse në Afganistan dhe në Irak, dhe qitësi më i mirë i këtij reparti. Ai është pezulluar nga detyra.

Kronologjia e vrasjes së mbrëmshme

Sipas një versioni paraprak, personi që ka qëlluar fillimisht është Fabiol Gaxha, i cili ka qëlluar një herë dhe më pas ka qëlluar efektivin Marviol Bilo, ky i fundit ka qëlluar 10 herë. Ka plagosur me një plumb në qafë Ervis Martinaj, ka vrarë viktimën, Fabiol Gaxha dhe ka plagosur me 8 plumba Elion Hakon, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Për efektivin e ushtrisë, mendohet se ka përdorur një motor që e ka braktisur në zonën e Botanikut në Tiranë.

Shënim: Po i shkruajmë këto radhë për të gjithë ata lexues që mendojnë se kjo histori është përtej atij skenarit: “cherchez la femme”, fajin e ka femra. Po i shkruajmë për të gjitha ata që mendojnë, për të gjithë ata që dyshojnë se nuk ka justifikime dhe alibi. Për ata që nuk mendojnë se të tillë njerëz, me CV aq të pasur në botën e krimit dhe të rrahur me ‘vaj e uthull’ në dyert e komisariateve dhe burgjeve, por edhe luftërave si efektivi Bilo u gjenden krejt rastësisht në një lokal në mes të ish-Bllokut në kryeqytet dhe u përplasen me armë se u prekën para një jave në sedër.

Sa për Elvanën, vajza që ka një zë të bukur dhe një pamje për t’a pasur zili, ndërsa i dashuri i saj milionat e nevojshme për ta maksimalizuar suksesin që i siguronin ato, Zoti i dha një çmim: E hodhi si kockë për mediat… /opinion.al