Një ditë pas miratimit në Kuvend të reformës në drejtësi, kryeministri Edi Rama nxitoi në rrjetet sociale ta shpallte të hënën ditë pushimi për administratën publike.

Të shumtë ishin ata që u habitën dhe nxituan të kritikonin shefin e qeverisë për këtë vendim të pazakontë dhe të pandodhur kurrë më parë.

“Së bashku kemi arritur të paarritshmen në 25 vjet. Prandaj të hënën administrata pushim dhe le të jetë një fundjavë e gëzuar për të gjithë”, shkroi Rama në “Facebook”.

Por a është vërtet kryeministri kaq i ngazëllyer nga kalimi në Kuvend i reformës, apo këtu fshihet diçka tjetër në shpalljen pushim të ditës së hënë? Ndoshta, me një gur Rama vret dy zogj. Pikërisht e hëna përkon me ditëlindjen e Zahos, djalit të vogël të kryeministrit.

Më 25 korrik, Zaho Rama mbush 2 vjeç. Kryeministri është treguar diskret në publik me të birin, duke mos publikuar foto apo pamje me të. “Lapsi.al” shkruan se i udhëhequr ndoshta nga egocentrizmi dhe të qenit një politikan kontrovers, ndër të tjera Rama “i bën dhuratë” të birit edhe një akt të tillë, të cilin mund t’ia rrëfejë me krenari në të ardhmen kur Zaho të rritet.

I bindur që reforma në Kuvend do të kalonte ditën e djeshme, fare mirë Rama mund të caktonte ditën e premte si ditë pushimi për administratën publike, nuk kishte pse e transferonte për të hënën, ditë kur Ilir Meta ka thirrur Kuvendin në seancë plenare.

A është ditëlindja e Zahos që spostoi festën për administratën të hënën? Ndoshta përgjigjja e kësaj pyetjeje s’do të mësohet kurrë.