Në një bashkëbisedim me gazetarët këtë të premte Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha se nuk ka asnjë distancim të Partisë Socialiste nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, edhe pse ai mungoi në një festë të kësaj force politike pak ditë më parë.
“Nuk mbajtëm shënim kush erdhi, kush nuk erdhi në festë”, tha Gjiknuri.
Teksa është pyetur nga gazetarët për akuzat ndaj Ahmetaj lidhur me çështjen e inceneratorëve, Gjiknuri tha se rezervohet të jap komente pasi organet gjyqësore janë duke hetuar.
“Ju e dini që ka një hetim. Nuk ka pse të komentoj akuzat që ngrihen. Në Shqipëri ka një tendencë që gjyqi të bëhet mediatik dhe publik, por procesi i vërtetë ligjor është në organet e drejtësisë. Është një organ që qeveria nuk e kontrollon, që ka marrë në përgjegjësi penale figura të larta. Ka vetëm një të vërtetë, që organet janë duke hetuar dhe rezervohem të mos bëj komente”.-tha Gjiknuri.