Nga Shpëtim KODRA
Është pyetja që shtron nobelistja Svetlana Aleksieviç, gazetare, reportere, shkrimtare, me nënë ukrainase e baba bjelorus. Është nderuar me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 2015. Libri i saj i parë “Lufta nuk ka fytyrë femërore”, e para vepër e ciklit “Utopia”, është një dokument prekës që shpalos historinë e panjohur gjerësisht, të pjesëmarrjes së mbi 1 milion femrave sovjetike në Luftën II Botërore. Në veprën e saj zërat njerëzorë flasin për veten. Intervista nga qindra gra, ish pjesëmarrëse në luftë. Aleksieviç demonton mitin heroik të Luftës së Madhe Patriotike, e cila ende instrumentalizohet, duke injoruar e mbuluar diktaturën pas lufte, jo vetëm në republikat e ish BRSS, por edhe në vendet e ish kampit socialist.
Në tërësi, veprat e saj përbëjnë një kronikë letrare të historisë emocionale të njeriut gjatë periudhës sovjetike e post sovjetike. Ajo thotë: “E shoh botën si shkrimtare, jo si historiane që vetëm vargëzon faktet jashtë emocioneve”. Ndërsa A.Sanikov shprehet: “Silvana Aleksieviç shkruan rreth “njeriut të kuq, homo sovieticus-prodhim bolshevik”. “Ky njeri –shton shkrimtarja- është brenda nesh, brenda çdo sovjetiku”. Me nota dhimbjeje, por edhe me vërtetësi, përshkruan ajo mbijetesën dhe dëshpërimin e njerëzve, përmes tragjedisë së historisë sovjetike. Duke e cilësuar të zvetënuar shpirtin rus, ajo mendon se rusët e mohojnë lirinë, sepse nuk e kanë njohur kurrë atë. Është dimensioni tragjik i shpirtit rus: viktimë e xhelat.
A mund ta pranojë Rusia, djepi i komunizmit, demokracinë? Jo në këtë brez. Rruga drejt demokracisë, për shtetet që kanë jetuar gjatë nën diktaturë, është e vështirë, e mundimshme. Në ndërgjegjen e botës ruse gjithçka ka ardhur përmes dhunës dhe luftës që sjell shkatërrim, vdekje, varfëri, frikë e tragjedi familjare. Një artikull tjetër, duke pasur parasysh Zelenskin si komik, e kam nisur me fjalët e Çaplinit kundër luftës. Tani më bie ndërmend Aristofani dhe mësimi që ai sjell nga Sh.V me komedinë “Lisistrata”, ku gratë bëjnë grevë dhe krijojnë barrikadë në Akropol, që të bindin burrat të refuzojnë (ndalojnë) Luftën e Peloponezit. Letërsia e madhe është gjthnjë aktuale. Ndërsa komedia ka gjithnjë një thelb serioz, ka në themel të vërtetën.
Kombi rus që i bëri kombet e tjera të vuajnë e të kenë pasoja tragjike, ka dalë vetë me më shumë deformime shpirtërore afatgjata. I habitshëm reagimi i një pjese të madhe të qytetarëve rusë ndaj tjetërsimit të së vërtetës, gatuar në Kremlin nga propaganda arkaike, por ende e frytshme. Një ushtar rus: “Nënë, po vrasim njerëzit e zakonshëm e të pafajshëm”. Nëna: “Jo, bir, ju po kryeni një vepër të madhe. Po vrisni nazstët”. Një tjetër nënë ruse që priste arkivolin e djalit nga Ukraina, është shprehur: “Jam krenare për djalin tim. U vra për Rusinë”. Në ndërgjegjen e tyre është kontaminuar e mira me të keqen. Me pjesëmarrjen tragjike të vajzave e grave sovjetike në L.II Botërore, është kriminalizuar e infektuar e gjithë shoqëria ruse. Imagjinoni gratë që ushqejnë, zhvillojë, rritin frytin e dashurisë dhe lindin njerëz, të luftojnë për të vrarë njerëz.
Në vitet ’90, shprehet nobelistja, mendohej që demokracia do të vinte shumë shpejt. Por nuk e kuptonim që nga socializmi bolshevik nuk lind njeriu i lirë dhe se rruga drejt demokracisë së vërtetë, është e gjatë. Mendonim se komunizmi kish vdekur, kur në fakt ai është një sëmundje kronike, një besim, një fe, ku diktatori, Udhëheqësi “i pagabueshëm e i pavdekshëm”, zëvendëson Perëndinë në tokë. Rusia, që e ka përjetuar më gjatë komunizmin si utopi e si praktikë vrastare, është mësuar dhe ambjentuar me të. Në veprat e Aleksieviç shfaqet përvoja e përgjakshme, e tmerrshme e jetës dhe e luftës së përbindshme e të pandërprerë të klasave e të armiqve në BRSS.
Rusët nuk kanë nxjerrë mësime nga e kaluara, madje Putini mban si idhull Pjetrin e Madh. Por Pjetri I, i cili edhe luftrat i udhëhiqte vetë, ashtu si dhe punën për ndërtimin e Shën Petërburgut, ndonëse me mijëra viktima. Ai shkoi në Evropë e mësoi prej saj. Ndërsa Putini, nga zyra në Kremlin, frymëzon e drejton masakrën dhe genocidin në Ukrainë, siç veproi Hitleri më 1941. Kush e nxit, provokon, urdhëron dhe ekzekuton luftën ndaj një populli të lirë e një vendi sovran, është armik i njerëzimit. Njerëzimi përparimtar nuk mbron vetëm Ukrainën, por botën.
Kudo në botë sot flitet për realitetin e luftës në Ukrainë, veç në Rusi jo; nuk është e mundur. Sundon propaganda primitive, me formula të zgjedhura nga pushteti; censura që mbulon të vërtetën, përndjekja dhe terrori ndaj intelektualëve dhe gazetarëve e shkrimtarëve, që duan të pasqyrojnë realitetin. Duke analizuar atë që po ndodh në Ukrainë, është e vështirë ta konsiderosh Putinin të vetmin fajtor. Çdo rus ka pjesën e tij të përgjegjësisë për mizoritë në Ukrainë, por edhe për dhjetra mijëra ushtarë të rinj rusë që janë vrarë e po vriten. Mbetet për t’u gjykuar edhe faji kolektiv. Në përulje para viktimave të komunizmit në Rusi, Bjelorusi, apo Ukrainë, me humanizëm të lartë, ajo ka shprehur vuajtjet, pasionet dhe shpresat e tyre për demokraci, gjatë luftrave civile.
Aktualisht S.Aleksieviç po shkruan librin e saj të ri për luftën aktuale në Ukrainë. E ka titulluar “Vetëm nëse fiton Kievi, fitojnë të gjithë”. Dhe është e vetëdijshme për denoncimin dhe procesin që do të pasojë librin, pas botimit. Ajo mendon se Ukraina po sakrifikon gjithçka për të gjithë ne, prandaj duhet mbështetur me të gjitha mundësitë. Ajo shtron pyetjen: “Përse ende rusët i besojnë propagandës putiniane? A nuk e shohin se udhëheqësi i tyre po e çon Rusinë dhe ekonominë e saj drejt greminës, duke e turpëruar e poshtëruar Rusinë e popullin rus para njerëzimit përparimtar? A e mendojnë se Putini e vartësit e tij, si dhe ushtarët rusë, do të gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”?
Për t’u admiruar janë luftëtarët ukrainas që, pasi përcjellin gratë e fëmijët, kthehen në frontin e luftës. Vijnë të rezistojnë e s’pranojnë të tërhiqen, apo të dorëzohen. Nuk e pranojnë kapitullimin para kriminelëve rusë, të cilët duan ta kthejnë në gërmadhë Ukrainën e të zhbëjnë kulturën e gjuhën e saj. Dihet që artet, letërsia janë antidot permanent ndaj dhunës, terrorit, luftrave e propagadës mashtruese. Janë sistem alarmi, kur liria është në rrezik. I shërbejnë të vërtetës, jashtë kufijve kohorë e gjeografikë. Përse rusët dëgjojnë e lexojnë vetëm medjen e censuruar ruse për 24 orë dhe nuk lexojnë letërsinë e madhe klasike ruse, me autorë të shquar si: L.Tolstoi, F.Dostojevski, Gogoli, Çehovi, Turgenievi, Pushkini, Lermontovi etj?
Shkrimtarë të tillë kurrë nuk i kanë thurur lavde e himne luftrave të padrejta e pushtuese. Pavarësisht nga origjina, ata nuk i përkasin vetëm Rusisë, Ukrainës apo Bjelorusisë, por mbarë njerëzimit. Shkrimtarët e artistët janë armiq të diktaturave e të luftrave të tyre të padrejta. Në shkollat e viseve të pushtuara në Ukrainë, Putini heq padrejtësisht nga programet autorët ukrainas. Nga ana tjetër, për kundërvënie diskutohet të hiqen nga programet shkollore në Ukrainë Tolstoi, apo Dostojevski. Kjo s’ka sens. Po të ringjalleshin sot, Tolstoi e Dostojevski do ta dënonin fort agresionin rus në Ukrainë. Te “Lufta e paqja” Tolstoi ngre lart heroizmin e popullit rus ndaj agresionit të ushtrisë së Napoleonit. Sot ushtria ruse e Putinit kthehet të pushtojë Ukrainën.
A e ka lexuar Putini Tolstoin, i cili është shprehur: “Gjatë gjithë historisë, të gjitha luftrat janë nxitur nga qeveritë, pavarësisht nga interesat e njerëzve”. Në esenë “Mos vrit” (1900) ai shkruan: “Të gjithë ndodhen nën pushtetin e disa njerëzve, ose të një njeriu- arbitër të fatit e të jetës së miliona njerëzve”. Ndërsa në artikullin “Nuk mund të hesht”(1908) ngrihet kundër autokracisë cariste. Në ciklin “Tregime të Sevastopolit” Tolstoi dëshmon absurditetin e luftës dhe tmerret e saj i përshkruan realisht, pasi i përjetoi direkt. Lufta e Krimesë, një ndeshje mjaft e ashpër, përfaqëson humbjen ushtarake të Rusisë me Perëndimin, me fuqitë ushtarake evropiane. Luftrat ruso-turke (11 luftra janë zhvilluar) i ka konsideruar gjithashtu masakra.
Ligji për heqjen e bujkrobërisë në Rusi përfundoi me 19 shkurt 1861, por nuk u realizua menjëherë. Leon Tolstoi kish dhënë provën e parë, për çlirimin e fshatarëve nga bujkrobëria më 1857 në Jasnaja Poljana. A e ka lexuar Putini “Haxhi Muratin”, ku Tolstoi përshkruan një “operacion shpëtimi” të Nikollait I ndaj çeçenëve? Edhe Stalini i shtypi e i deportoi më pas çeçenët. Ndërsa në Rusinë “demokratike” i shtyp e i përdor sot Putini. Kadare ka shkruar: Te “Haxhi Murati”, një testaments e profeci, Tolstoi, duke pasqyruar luftën e rusëve kundër çeçenëve, tregoi zanafillën e një krimi që ende vazhdon. Ishte sidomos një thirrje që i bëhej ndërgjegjes së ardhme ruse. Pasazhet e mëposhtme nga kjo vepër, janë një dëshmi tejet bindëse:
Gjenerali e cilësoi “operacion shpëtimi”, sistemin e djegies së shtëpive dhe asgjësimin e burimeve ushqimore në çeçeni, që të zbatohej vullneti i Sovranit të egër, të çmendur e të pandershëm, prej të cilit varet mirëqenia dhe lumturia e gjithë botës. Nikollai I e besonte veten strateg të madh. I pëlqente të ishte tepër i egër. Shumë të këqia u kish bërë polakëve, të cilët i quante “zuzarë”. Sado i mësuar me tmerrin që u kallte njerëzve, Car Nikollait i shijonte gjthnjë ky tmerr. Ndjenja që provonin të gjithë çeçenët, i madh e i vogël, ndaj rusëve, ishte më e fuqishme se urrejtja. Një farë mospranimi për t’i quajtur njerëz këta qenër rusë. Një farë neverie e pështirosjeje. Shumë fshatra çeçene rusët i kishin bërë shkrumb e hi.
Kamenievi (duke nxjerrë nga thesi kokën e çarë me shpatë të Haxhi Muratit), tha: “E zumë. Veç vdiq si burrë. Po e tregoj fshat më fshat”. Butleri: “Kështu e ka lufta”. M.Dimitrievna: “ç’luftë?! Ju jeni katilë, asgjë më tepër”. Ndërsa Dostojevski ka thënë: “Njeriu vdes në qenien e tiranit. Si dreqin njerëzit nuk e dallojnë të mirën nga e keqja”? Fryma humane e dashurisë mbizotëron në pasqyrimin prej tij të jetës së njerëzve të mjerë, të varfër e të nëpërkëmbur. Mesazhet e veprës së tij mbeten aktuale. Ideali i tij human e ndihmon njeriun të spastrohet moralisht e të lartësohet shpirtërisht. Edhe Dostojevski e provoi padrejtësinë e shtetit totalitar. U dënua me pushkatim “për propagandë subversive”, por dënimi iu konvertua me internim në kamp pune.
Është letërsia e realizmit socialist “e dehur me gjak”, siç thotë Solzhenicin, për të cilin ajo nuk ka ekzistuar, sepse “letërsi pa të vërtetën nuk ka”. Kadare: “Rendi komunist, më shumë se çdo rend tjetër, mori seriozisht luftën kundër letërsisë. Komunizmi dhe letërsia e vërtetë nuk mund të bashkëjetonin kurrë”. Sipas Leninit, letërsia dhe arti ishin pjesë e rëndësishme e punës së Partisë. Në qendër duhej të ishte propaganda e Partisë dhe lufta e “suksesshme” e klasave kundër armikut të brendshëm e të jashtëm, realiteti “i mrekullueshëm” socialist. Edhe pse quhej “realizëm”, nuk kishte lidhje me realitetin konkret, nuk pasqyronte krimet e Leninit e të Stalinit, kampet e internimit. Devijimi nga dogma i përjashtonte shkrimtarët nga letërsia dhe nga shoqëria.
Letërsia disidente sovjetike ishte kundër regjimit të terrorit, propagandës dhe luftës së klasave. Në fund të viteve ’50, pas dënimit të krimeve e të kultit të individit të Stalinit, qarkulloi për një kohë, një revistë klandestine (samizdat i parë), realizuar nga A.Ginzburg. U publikuan krijimet poetike të poetëve të ndaluar: Ahmatova, Pasternak, Mandelshtam, Gumilev. U detyruan të emigrojnë: V.Nabokov, I.Bunin, E.Zamjatin, J.Brodski, V.Aksionov. Isak Babel u pushkatua. Ivan Bunin, nobelisti i parë, në librin “Ditë të mallkuara” pasqyroi kaosin dhe tmerrin në Rusinë e Revolucionit e të Luftës Civile, duke kritikuar fort bolshevikët.
M.Bulgakov në librin “Zemër qeni” heq një paralele ndërmjet të qenit bastard Sharik dhe një proletari të neveritshëm që dërdëllit gjithë ditën për marksizmin dhe goditjen e shtresave intelektuale. Ndërsa te “Mjeshtri e Margerita” e ka përqëndruar intrigën në persekutimet politike. Personazhe njerëz 146, kafshë 24. Tri temat rreth të cilave sillet rrëfimi janë: pushteti, e vërteta, drejtësia. V.Nabokov te novela “Shkatërrimi i tiranëve”, për figurën e tiranit frymëzohet nga Lenini, Stalini e Hitleri. E.Zamjatin në romanin “Ne” paraqet një shoqëri komuniste krejt të mbyllur, të drejtuar nga Mirëbërësi (nënkupton Stalinin).Qytetarët janë gjithë kohën të survejuar dhe s’kanë emra, por numra.
J.Brodski (nobelist) iu nënshtrua një kontrolli psikiatrik, me vendim gjykate. V.Bukovski, aktivist antikomunist. I burgosur politik e i mbyllur në psikiatri. Nxori në perëndim një dokument (gjetur në arkivin e spitalit), me raporte të KGB drejtuar KQ të PKBS, ku përshkruhen abuzimet ndaj disidentëve politikë në spitalet psikiatrike. Thosh:’ “Deri sa një gjykatë, e ngjashme me atë të Nyrembergut, të ketë shprehur gjykimin e saj mbi krimet e komunizmit, nuk mbaron lufta”. E.Ginzburg në librin “Udhëtim në marramendje” e përkufizoi si “një kronikë të kohëve të kultit të personalitetit”, duke evidentuar tmerret e regjimit stalinist. Ky roman autobiografik tregon goditjet e pësuara gjatë hetimit e si i detyronin gratë e dënuara të rrëfeheshin nën kërcënime.
Juli Daniel e A.Sinjavski u dënuan “për aktivitet antisovjetik e propagandë kundër pushtetit popullor”. Një tregim i J.Daniel bënte fjalë për një sekretar partie që transfomohet në maçok. Ata nuk pranuan të deklarohen fajtorë. A.Sinjavski: “Jam akuzuar se kam shkruar që në kohën e Stalinit kishte kampe internimi. Më thoni, ju lutem, ku do të më dërgojnë mua, kur të dal nga kjo sallë”? B.Pasternak në romanin “Doktor Zhivago” pasqyroi objektivisht egërsinë e Revolucionit e të Luftës Civile. E detyruan të refuzonte “Nobelin”. O.Mandelshtam në epigramin “Para arrestimit” shfaq një kritikë të egër sarkastike ndaj Stalinit, të cilit i kish atribuar edhe fajin për Holodomorin.
Varlam Shalamov, një kronikan i gulagut në Kolyma, u akuzua se shpërndau Testamentin e Leninit me kritika ndaj Stalinit, ndaj të cilit edhe protestoi me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit. Nga vdekja e Mandelshtamit është frymëzuar një nga tregimet e Shalamovit. Viktima të persekucionit ideologjik qenë edhe M.Zoshenko, A.Platonov, A.Voznjesenski, M.Cvetajeva. Kritiku N.Punin: “Realizmi socialist i konsideron njerëzit makina në seri”. Ndërsa Organizatën e shkrimtarëve N.Prishvin e ka quajtur “fermë kolektive”. V.Grosman në sagën “Jetë e fat”, e përcaktuar si “Lufta e paqja” e shek. XX, shkruan për betejën e Ferrit në Stalingrad. Ndërsa regjimin e Stalinit e krahason me atë të Hitlerit.
A.Solzhenicin: “Unë jam me origjinë të përzier ruso-ukrainase. Jam rritur nën ndikimin e përbashkët të të dy kulturave dhe nuk shoh antagonizëm midis tyre. Kam folur e kam shkruar për tragjedinë e urisë në Ukrainë. Vuajtjet e rusëve dhe të ukrainasve janë shkaktuar nga komunizmi. Në zemrën time nuk ka vend për një konflikt ruso-ukrainas. Kurrë, në asnjë rrethanë, as unë, as fëmijët e mi, nuk do të bashkohemi në një luftë të Rusisë kundër Ukrainës”.Shkrimtarët disidentë rusë anti Putin. Disfata e agresionit rus nuk është vetëm çështje politike, as diplomatike, por edhe një çështje e madhe kulturore. Kultura është më e fortë se konflikti. Kultura është tregues i demokracisë. Kultura ruse është bërë pjesë e luftës Rusi-Ukrainë.
Mihail Shishkin, një nga romancierët më të rëndësishëm bashkëkohorë rusë, ka refuzuar të përfaqësojë Rusinë në Usa Book Expo, duke u shprehur: “Putini s’ka zemër. Ai ka transformuar gjuhën time në atë të vrasësve kriminelë. Krimet e tij janë edhe kundër kulturës ruse. Putini do të largohet, por dhimbja dhe urrejtja që ka krijuar, do të mbeten gjatë në kujtesë. Diktatura gjithnjë ka nevojë për armiq, pra për luftë”. Kam shkruar për luftën që Putin i ka shpallur me kohë Perëndimit, por Perëndimi nuk ka dashur ta shohë. Kjo luftë ka nisur në 2014, me agresionin në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë. Në 2018 bëra apel për bojkotimin e kampionatit botëror të futbollit në Rusi, por përfitimet nga kampionati ishin më të mëdha se dinjiteti njerëzor dhe solidariteti me Ukrainën.
Putini e perceptoi si pranim të agresionit. Rruga për tragjedinë ish hapur. Tani propaganda ruse ndeshet me realitetin ukrainas. Nuk është luftë ruso-ukrainase, por luftë ndërmjet njerëzve të lirë dhe skllevërve të mashtruar. Ushtarët rusë po e kuptojnë se në Ukrainë nuk gjetën fashistë, por qytetarë dhe ata vetë po sillen si fashistë. Ukraina ka ofruar përmes Kryqit të Kuq rikthimin në Rusi të trupave rusë të vrarë. Putini ka refuzuar. Putini, ndryshe nga diktatura e shek. XX, e ka lënë të hapur kufirin, për t’u larguar intelektualët e të pakënaqurit nga regjimi i tij. E ka më të lehtë t’i sundojë të varfërit e të pashkolluarit.
Në librat e tij “Luftë ose paqe. Perëndimi e Rusia”, si dhe në romanin tjetër epistolar, Shishkin ka lëshuar profecinë e tij që Putini nuk do të ndalej. Por as letërsia gjermane nuk e pengoi Aushvicin, as letërsia disidente sovjetike Gulagun. Shkrimtarët kanë ndihmuar popujt për të mbijetuar, si dhe për të lufuar dhembjen e urrejtjen. Shkrimtarët rusë S.Kuznecov e B.Akouenin, me të tjerë bashkatdhetarë rusë, kanë firmosur një dokument, në opozicion ndaj luftës në Ukrainë.
Putini e ka shpallur botërisht urrejtjen vrastare ndaj popullit “vëlla” ukrainas, të cilin e konsideron mbështetës të nazizmit. Shkrimtarja ruse Ludmilla Evgenievna: “Jemi në fillim të një Lufte të re të Ftohtë, e cila shpresojmë të mos kthehet në një Luftë të Tretë Botërore”. N.Lilin: “Putini-Cari i fundit”. A.Kurkov: “Mashtrimi putinian po merret si dogmë”. Shkrimtari Shenderoviç është një tjetër kritik i Putinit. Për shkrimtarin më të suksesshëm rus Dimitri Glukovski ka një urdhër arresti, sepse e ka diskredituar ushtrinë ruse e i ka bërë thirrje: “Ndaloni luftën”! Artistët rusë Kirill Savçenkov e Aleksandra Sukhareva janë tërhequr nga Bienalja e Venecias, në shenjë proteste kundër agresionit rus.
Kryeredaktori i gazetës së pavarur “Novaja gazeta”, D.Muratov, një kritik i ashpër ndaj aneksimit të Krimesë, si dhe ndaj agresionit rus në Ukrainë, e ka shitur medaljen e çmimit “Nobel” për paqe, për 103 milion dollarë, si ndihmë për fëmijët ukrainas, të dëmtuar nga lufta, duke u shprehur: ”Ashtu si pikëllimin, po përjetojmë edhe turpin e Rusisë”. Kultura arti, letërsia, kauza e lirisë, i bashkojnë popujt. Çmimi letrar evropian i “Poetit të Lirisë” për vitin 2022 i Gdanskut (Poloni) është ndarë mes dy fituesesh: Luljeta Lleshanaku nga Shqipëria dhe Marianna Kiyanovska nga Ukraina. E para u vlerësua “për poezinë e kristaltë e të përkryer dhe një përshkrim emocionues të gjetjes së lirisë në botën e skllavërisë, ku ajo lindi e u rrit”. E dyta u vlerësua “për poemën vajtuese për luftën dhe për mungesën e lirisë në diktaturë”.
Libri “Një kënd i vogël i ferrit” i Ana Politkovskajas, si dhe “Një kohë e dytë” e Svetlana Alekseviç gjthashtu sjellin shpresë që “shpirti i revoltës në letërsinë ruse, si dhe vullneti për të mbrojtur të vërtetën e të drejtat njerëzore, do të rilindë përsëri”. Shkrimtari mjaft i njohur moskovit, Sergei Lebedjev, akuzon ashpër vendin e tij dhe kritikon intelektualët rusë, të cilët në 20 vitet e fundit, kanë mbyllur sytë përballë regjimit putinian. Svetlana Aleksieviç: “Lebedjev shkruan për kohën tonë, si dhe për paaftësinë tonë, për të kuptuar deri në fund epokën e Stalinit. Vepra e tij “Një udhëtim në universin sovjetik, ku shenjat e padrejtësive të vjetra përgatitën terrenin për dhunën e ardhshme”.
Shkrimtarët disidentë rusë janë optimistë për Ukrainën, por jo për Rusinë, përderisa të zhvillohet një Nuremberg për krimet e komunizmit dhe të kërkohet falje, ashtu siç veproi Vili Brandt në Varshavë, kur, i kërkoi ndjesë, popullit polak”, siç thotë Shishkin.