“Po të ma kishit bërë këtë pyetje 15 vjet më parë, do të kisha thënë: ‘Absolutisht marrëzi, është çështje gjenetike dhe këpucët nuk shkaktojnë asnjë problem’,” thotë Andrew Goldberg, specialist ortoped për shputën dhe kyçin e këmbës në spitalin Wellington në Londër. Por shikimi i skanimeve 3D që tregojnë si duken këmbët e njerëzve ndërsa qëndrojnë brenda këpucëve i ndryshoi mendjen plotësisht.
Ai mori dy skanime të këmbëve të një personi, një herë zbathur dhe një herë me taka, dhe ndryshimi ishte i dukshëm. Me taka, gishtat ishin të ngjeshur, gishti i madh tregonte shenja të një bunioni (deformim i kyçit në bazë të gishtit të madh të këmbës) dhe gishtat e vegjël ishin të përkulur si kthetra, duke u kapur për të ruajtur ekuilibrin.
Goldberg sugjeron të bëhen ushtrime të thjeshta ditore për këmbët, si për shembull të kapësh objekte me gishtat e këmbëve, për t’i mbajtur ato fleksibël dhe për të forcuar muskujt.
“Mund ta imagjinoni që pas disa orësh këmbët ju dhembin, dhe sapo hiqni këpucët, gishtat kthehen në pozicion normal”, thotë ai. “Por nëse i mbani takat tetë orë në ditë, çdo ditë, për vite me radhë, gjërat fillojnë të ngurtësohen në atë pozicion”. Me kalimin e kohës, ky tension shkakton shtrirje të indeve të buta, bunione, ku gishtat mbeten të përkulur dhe përfundimisht, artrit nga konsumimi.
Të gjitha llojet e këpucëve, thotë Goldberg, ndikojnë në formën e këmbës deri diku, duke i shtyrë gradualisht gishtat më afër njëri‑tjetrit dhe duke e ngushtuar profilin e këmbës. Këpucët e ngushta ose me majë e përkeqësojnë këtë dhe shumë njerëz mbajnë këpucë më të vogla se numri i tyre real.
Nëse jeni përdoruese e takave, Goldberg rekomandon ushtrime të thjeshta ditore, si kapja e objekteve me gishtat e këmbëve ose ecja zbathur mbi majat e gishtave për një minutë, për të ruajtur fleksibilitetin dhe forcën e muskujve.
Në fund, thotë ai, çelësi është moderimi.
“Nëse i vishni takat për një darkë, s’ka problem. Por mos i mbani gjithë ditën, çdo ditë. Dhimbja që ndjeni në fund të mbrëmjes kur keni mbajtur taka nuk është aspak çudi, sepse po i shkaktoni shumë stres këmbës suaj të gjorë”.





