Në Durrës ka nisur të frekuentohet plazhi, pavarësisht punimeve që po realizohen në shëtitoren bregdetare.
Pirgjet me rërë e gurë të mëdhenj dhe mjetet e rënda në mes të plazhit janë bashkëshoqërues të pushuesve të parë.
Për pushuesit, por edhe për qytetarët e Durrësit gjendja e plazhit lë për të dëshiruar, ndërsa gurët e hedhur në breg rrezikojnë fëmijët.
![](https://durreslajm.al/app/uploads/2023/05/guret-1024x576.jpg)
“Gjendja këtë vit më duket katastrofë. Asnjëherë nuk ka qenë kështu. Djali vrau dje këmbën tek ata gurë të mëdhenj që kanë hedhur brenda në det”,- thotë një pushuese nga Kosova, që prej dy ditësh po qëndron në zonën e plazhit.
![](https://durreslajm.al/app/uploads/2023/05/Kronika.00_00_12_01.Still1687-1024x576.jpg)
“Habitem çfarë plazhi kërkojnë të bëjnë njerëzit me këtë rërën të hedhur kështu dhe punimet që po vazhdojnë. Duhet të kishin përfunduar tashmë. Shumë të vonuar janë”,- deklaron një qytetare nga Tirana, qëndron prej javësh në plazhin e Durrësit.
Një banor i zonës e ka nisur plazhin prej ditësh, por nuk është aspak i kënaqur nga ajo që i shohin sytë.
“Nuk na duhet plazh i betonuar, por rërë dhe det”,- thotë ai.
Bizneset sezonale po bëhen gati për të pritur flukset e para të pushuesve nga trevat shqipfolëse, por vonesat për përfundimin e fazës së parë të shëtitores i kanë lënë mjaft të pakënaqur.
“Sezoni ka filluar, taksat i kemi paguar, por nuk kemi asgjë në vijë. Në qytetin e Durrësit 85% e pushuesve janë qytetarë kosovarë. Shëttitorja duhet të kishte përfunduar, po ashtu edhe punimet në bizneset tona, jo të presim muajin maj”,- deklaron Naim Kapiti, biznesmen nga Kosova.
Kryebashkiakja Emiriana Sako në një intervistë për “DurrësLajm” deklaroi se faza e parë e punimeve për shëtitoren e plazhit do të përfundojë në fillim të qershorit.
Shëtitorrja e plazhit shtrihet në një gjatësi prej 3 km dhe është investim në vlerën 285 milionë lekë, që po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
M.B.