Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani ka komentuar sot dhe zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb deklaratën e Dumanit.
Ndonëse nuk ka dashur të zbulojë më shumë, Dumani tha se SPAK po heton për këtë rast, duke shtuar se me masakrën e Don Boskos nuk mund të thuhet nëse u ‘ngjall apo jo’ Martinaj.
Mes të tjerash ai tha se Jeton Lami, efektivi që ka ndihmuar Martinajn, ka ‘kyçur’ gojën dhe nuk jep asnjë të dhënë.
“Ça bashkëpunimi të kërkojmë me prokurorinë e Kurbinit, ne e kemi në hetim. Në kuadër të hetimit, ne kemi informacionet tona. Jeton Lami ka preferuar të hesht dhe të mos japë deklarime. E para ngjarjen e “Don Boskos”, nuk e ka në hetim Prokuroria e Posaçme. Unë jam prokuror dhe nuk mund të them se me episodin e “Don Boskos”, “u ngjall” apo “nuk u ngjall Ervis Martinaj”. Nga ana jonë janë ndërmarrë veprime hetimore, kemi sekuestruar pasuritë dhe kemi pistat tona edhe sa i përket hetimit të kësaj çështje. Janë dërguar aktet në gjykatë dhe dosja hetimore nga ana jonë.”, tha Dumani.