Kryebashkiaku Vangjush Dako është shprehur edhe njëherë tjetër se personi me të cilin flet në telefonatën e përgjuar nuk është Astrit Avdyli.
I ftuar në emisionin “Repolitix”, Dako ka sqaruar se personi me të cilin flet është një familjar i Avdylajve.
“Unë e kam thënë që nuk është Astrit Avdyli, është një person nga familja e tyre i cili komunikon me mua, por jo Astriti. Nuk është zëri i Astrit Avdylit. Nuk mbaj mend të kem folur ndonjëherë në telefon me të,”– tha Dako.
“A është Niçja (vëllai i Astrit Avdylit, Altini) personi me të cilin flisni ju në telefon,”– e pyeti gazetari Minga.
“Nuk do ta jap ty përgjigjen se cili është, por Astriti nuk është,”- theksoi edhe një herë tjetër Vangjush Dako.
Kryebashkiaku i Durrësit ishte i ftuar edhe mbrëmë në emisionin “Opinion” në lidhje me përgjimet e publikuara nga Bild, ku tha të njëjtën gjë në lidhje me telefonatën e përgjuar.





