Rreth 3800 familje të mbetura të pastreha për shkak të dëmeve që pësuan shtëpitë apo apartamentet e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 kanë 3 muaj pa marrë bonusin e qirasë.

Asnjërës prej familjeve që trajtohen me bonus qiraje në Durrës nuk u ka kaluar prej 3 muajsh bonusi i qirasë, duke i vënë në vështirësi të mëdha financiare dhe në konflikt edhe me pronarët e shtëpive ku strehohen.

Të shumta janë familjet që janë rikthyer në pallatet e dëmtuara rëndë, sepse nuk mund t’i përballojnë shpenzimet mujore të qirasë, ashtu siç ka dhe plot familje të tjera që kanë vijuar ta marrin bonusin edhe pse nuk kanë lëvizur aspak nga pallatet me shkallë të lartë dëmi.

Në fund të dhjetorit, qytetarëve ju kërkua rinovimi i dokumenteve në njësitë administrative përkatëse, por edhe pse shumë prej tyre nxituan ta bëjnë këtë gjë, janari i gjeti sërish pa bonus.

Por firma e vënë sot nga presidenti Ilir Meta në dekretin për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme lokale mund t’i hapë rrugë kalimit të bonusit.

Qeveria ka treguar gjithnjë se gjatë fushatave elektorale e hap xhepin. Shumëkush mund t’i ketë të freskëta në kujtesë qindra milionë lekë që dolën nga buxheti i shtetit për të kompensuar të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës, të cilët përfituan pas hapjes së aplikimit online për dëmshpërblimin e dëmeve në dhjetor 2020. 

Fundi i marsit dhe i gjithë muaji prill 2021 përkoi me një “vërshim” parash në llogaritë e qytetarëve përfitues, fakt që opozita zgjodhi ta pompojë vetëm pasi humbi zgjedhjet dhe mediat shkruan për transfertat shumë milionëshe nga buxheti i shtetit.

Gjatë fushatës, opozitarët i ftonin qytetarët që paratë që po u jepte qeveria t’i merrnin, por votën t’ua jepnin kandidatëve të djathtë.

Nuk është çudi, që e njëjta situatë të përsëritet deri më 6 mars dhe qeveria të nxitojë t’u japë 3 apo 4 muaj bonus njëherazi 3800 familjeve.

Ndryshe nga Durrësi që do të përfshihet në garën elektorale, nga informacionet që “DurrësLajm” ka, bonusi i qirasë u ka kaluar normalisht qytetarëve përfitues në bashkitë Shijak dhe Kavajë. Asnjëra nga këto dy bashki nuk ka zgjedhje për kryetar më 6 mars.

Interesant pritet të jetë dhe reagimi i opozitës së Bashës, Berishës etj për vonesat e bonusit të qirasë në Durrës.

Deri më tani, të dyja palët e kanë ngritur zërin në mënyrë shumë sporadike për këtë problematikë që prek mijëra qytetarë të Durrësit.

Ngritja e zërit tani, mund të jetë thikë me dy presa për demokratët, pasi në çdo zgjedhje një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kanë pritur ofertën më të mirë monetare për t’iu drejtuar kutisë së votimit.

Duke zgjidhur hallin e vogël personal për pak ditë, apo pak javë, ata zgjedhin përfaqësuesit e tyre të radhës, të cilët kanë shans t’i takojnë e t’u parashtrojnë shqetësimet e tyre vetëm në fushatën elektorale të radhës.

M.B.