Një javë më parë, një ambulancë e ardhur nga një qytet pranë Durrësit, sillte me urgjencë një grua të moshuar, të shoqëruar nga bashkëshorti i saj në moshë të thyer.
I tronditur nga sëmundja e së shoqes, të cilën e kishte gjetur pa ndjenja, burri kishte harruar të merrte me vete celularin dhe portofolin. Për ta ndihmuar në ato minuta kritike, kateterin që i duhej vendosur bashkëshortes së tij, të saposhtruar në repartin e Neurologjisë, ia blenë familjarët e të sëmurëve të tjerë në dhomën e spitalit.
Dy ditë më pas, të thirrur nga familjarët e gruas së shtruar, infermieret i vendosën termometrin për të matur temperaturën dhe sipas tyre termometri shënonte 37°C, që sipas bluzave të bardha ishte temperaturë normale, megjithëse e sëmura i kishte faqet të skuqura. Disa orë më vonë, rezultoi se termometri i spitalit kishte qenë i prishur sepse shënonte sërish 37°C, ndërsa e sëmura që ishte në gjendje të pavetëdijshme dhe s’mund të tregonte se po vuante, po torturohej nga temperatura mbi 39°C.
Familjarët u dërguan në farmaci për të blerë medikamente për uljen e temperaturës, pasi iu tha se spitali s’kishte. Familjarët e të gjithë pacientëve blenë secili nga një termometër, për t’u matur temperaturën të dashurve të tyre, për të mos u gënjyer sërish nga termometrat jashtë funksionit.
Kateteri ndoshta nuk futet në listën e pajisjeve mjekësore që pacientëve duhet t’ua japë spitali, por duhet ta blejnë vetë, por që termometri spitalor në repartin e Neurologjisë të jetë jashtë funksioni dhe medikamentet për uljen e temperaturës të blihen në farmaci nga familjarët e pacientëve kjo duket pak si shumë absurde.
Drejtoresha e spitalit të Durrësit pati deklaruar disa ditë pas marrjes së postit se prioritet i punës së saj do të ishte furnizimi i të gjitha reparteve të spitalit me medikamentet bazë.
Ndoshta furnizimet kanë përfunduar dhe procedurat burokratike bëhen pengesë për furnizimin në kohë të spitalit me medikamente, por ashtu siç pati deklaruar drejtoresha Nadire Jani që brenda datës 15 maj 2018 do të afishoheshin në stenda të veçanta listat me medikamentet që kanë në dispozicion për pacientët të gjitha repartet e spitalit, në të njëjtën mënyrë të veprohet kur ilaçet bazë mungojnë ose dhe pajisjet më të thjeshta mjekësore janë jashtë funksioni.
Sepse në këtë mënyrë nuk i lihet vend abuzimi me medikamentet ndonjë anëtari të papërgjegjshëm të stafit mjekësor që të adreson në farmaci…





