Pas izolimit total për gjatë gjithë fundjavës, nga ora 17:30 e së premtes, qytetarët e Durrësit janë dyndur mëngjesin e së hënës në tregun e fruta-perimeve dhe nëpër supermarkete për të bërë blerjet e nevojshme.
Ajo që vihet re, është numri i madh i njerëzve të cilët janë shumë pranë njëri-tjetrit, pa respektuar distancën e sigurisë, duke përbërë kështu rrezik për përhapjen e virusit.
Shumëkush ngre pyetjen prej javësh tashmë, që a ia vlen ky kufizim total për dy ditë me radhë e menjëherë sapo nis java, të gjithë mbushin plot rrugët, dyqanet, tregjet?
E njëjta situatë u shënua edhe të premten pasdite, kur kryeministri Rama u kujtua të njoftonte rreth 3 orë përpara orarit të karantinimit, se fundjava do të ishte sërish e gjitha në karantinë. Të gjithë dolën nëpër supermarket e dyqane fruta-perimesh në qytet, duke nxituar për të bërë pazaret për fundjavë. Shumë prej tyre mbetën pa bukë, e shumë të tjerë mund të enë harruar të blejnë edhe gjëra të domosodoshme për t’i pasur në shtëpi.
Ndërkohë, e hëna e sotme shënoi fillimin e një faze të re në Shqipëri sa i përket masave lehtësuese nga CoVId-19. Në të gjitha qytetet është zgjatur fasha orare e lëvizjes së këmbësorëve, nga 90 minuta që ka qenë është bërë 120 minuta.
Nga ana tjetër, nga dita e sotme janë rikthyer në punë rreth 27 mijë punonjës, pasi është hapur blloku i dytë i bizneseve nga ora 07:00-17:30.
Pjesë e listës, e cila është publikuar në portalin e-Albania, janë kryesisht dyqane të pakicës si veshjet, këpucët, lule etj.
Po sot, qytetarët do të kenë mundësi për të lëvizur me taksi, megjithatë ashtu si kurse është paralajmëruar si dyqanet ashtu edhe taksitë do të duhet të ndjekin me rigorozitet protokollin e sigurisë, në të kundërtën do të ndëshkohen.





