Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi tha se Enkelejd Alibeaj, i cili dha dorëheqjen këtë të mërkurë nga detyra si kryetar i komanduar i PD, mund të kishte të këqijat e veta, por kurrë nuk ka qenë i shitur te Rama.
I ftuar në Euronews Albania ai tha se është fakt, që Alibeaj ka pasur debate gjithnjë me Berishën pasi ai nuk donte që në gjykata të kishte njerëz ish-komunista.
“Që nuk ishte i shitur këtë mund t’jua jap me bindje, që është i djathtë dhe i vuajtur nga sistemi monist edhe këtë mund t’jua them me bindje. Që është zënë gjithnjë me zotin Berisha se nuk ka dashur që në gjykata dhe në institucione të kishte elemente ish-komunistë edhe këtë ua them me bindje, sepse janë fakte që ai është prishur me zotin Berisha sepse nuk donte të vendoseshin gjyqtarë që vinin nga komunistët.
Si ka qenë? Ai ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta. Së fundmi pati një thyerje të jashtëzakonshme mes grupit parlamentar dhe Enkelejd Alibeaj. U bë e pamundur që edhe kjo parti, Partia Demokratike e siglës, e vuajti këtë pjesë, sa që i kërkuan të mos kandidonin në zgjedhjet vendore. Sepse dalja me dy kandidatë i jepte një fitore në pjatë të argjendit Edi Ramës, kjo ishte e keqja e tij gjatë drejtimit të Partisë Demokratike”,-tha Saimir Korreshi.