TIRANE, 9 korrik 2013 – A ka garë në Partinë Demokratike? Ka qenë kjo tema e diskutuar në emisionin “360 Gradë” të Artur Zhejit, ku analistët e ftuar, Dritan Hila, Clirim Peka, Eduard Zaloshnja e Fahri Balliu kanë shprehur pikëpamje të ndryshme në lidhje me dy kandidatët që garojnë për postin e kreut të PD-së. Ndër të tjera ata kanë analizuar edhe fushatën që dy kandidatët po bëjnë, si edhe rolin në këtë garë të kreut ende në detyrë të kësaj partie Sali Berisha.
“Për mua Sokol Olldashi është militant i fortë, ai që ka qejf përplasjen, ai që është e shkuara e PD-së dhe duke qenë se Partia Demokratike kishte një të fortë, një të shkuar historike, zoti Berisha, nuk ka nevojë që të bëj një replikë me zotin Olldashi. Unë nuk do ta kisha votuar. Lul Basha është figura ndryshe e asaj çka jemi mësuar të shohim deri tani në Partinë Demokratike. Ka kaluar disa dikastere, është përgatitur nga zoti Berisha për të qenë pasardhës i tij.”- deklaroi Dritan Hila.
“Kandidatët ndryshojnë. Zoti Olldashi nuk po luan si kandidat i fortë. Kandidati i fortë matet dhe replikon me kundërshtarin kryesor. Kundërshtari kryesor i PD-së nuk është Ilir Meta, është Edi Rama.”- u shpreh Clirim Peka.
“Lulzimi e merr në konsideratë historinë e Partisë Demokratike dhe bën vlerësimine saj. I bën vlerësim të gjithë anëtarësisë dhe nuk vë kufij dhe gardhe, por përkundrazi i vlerëson dhe ndërkohë bën autokritikën e thellë të shkëputjes prej tyre, të mosdëgjimit të zërit të tyre, duke hedhur pilotat e një analize të thellë për humbjen e kësaj periudhe. Olldashi sulmon me të drejtë, Peka thotë nuk sulmon Ramën, por Rama nuk doli asgjë nga kjo betejë, as 0.6% shtesë nuk ka pasur.”- shprehet Fahri Balliu.
“Unë mendoj se në votim, një anëtar një votë, zoti Basha do të kishte superioritetin e njeriut që ka provuar se di të korrë sukses elektoral. Zoti Olldashi merr votat e militantëve shumë të zjarrtë, por jo votat e vakta”- u shpreh Zaloshnja.
Gara për kreun e ri të PD-së do të ndalet në 22 korrik, nga ku do të dalë edhe emri që do të drejtojë Partinë Demokratike për vitet e ardhshme.





