Kanë mbetur edhe dy javë nga “deadline” për votimin e reformës në drejtësi. Duket se PD po lëviz, në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje. Është bërë një propozim i ri për mazhorancën, tha lideri Basha. Por, nëse konsensusi nuk arrihet deri më 21 korrik, çfarë do të ndodhë? A do t’i bashkohen deputetët e djathtë votimit të reformës, përkundër vullnetit të grupit parlamentar? Për këtë janë disa prej eksponentëve të PD-së, nga ata deputetë që nuk kanë kursyer as kritikat ndaj Bashës.

Majlinda Bregu, e pyetur nga “Opinion.al” nëse do ta votojë reformën në drejtësi më 21 korrik edhe pa PD-në, u shpreh se “sot ka një propozim të ri të bërë në grupin e PD-së”.  Bëhet fjalë për një propozim që i ka shkuar mazhorancës lidhur me vetingun në organet e drejtësisë, nen që ka mbajtur deri më sot të ndara palët.

“Unë jam për një reformë të drejtë në drejtësi që të mos forcojë pushtetin e asnjë Kryeministri. Besoj se deri në fund do të gjendet kompromisi”, u shpreh Bregu. Ajo la të kuptohet se mbështet reformën, por nuk pranoi të fliste për votim individual.

Sakaq, deputeti Astrit Veliaj u shpreh se “partnerët ndërkombëtarë duhet ta inkurajojnë dhe lehtësojnë arritjen e kompromisit”. Deputeti demokrat u shpreh kundër blerjes dhe shantazhimit të deputetëve, duke lënë të kuptohet se nuk do të votojë jashtë grupit të PD-së. “Ne na duhet një mazhoritet i gjerë për të kaluar reformën dhe ndryshuar Kushtetutën, dhe kjo nuk duhet të arrihet përmes blerjes dhe shantazhimit të deputetëve”, tha ai, ndërsa shtoi se inkurajon gjetjen e konsensusit të gjerë politik dhe një votë unanime në parlament”. /Opinion.al