Një punonjëse e një restoranti, vitin e kaluar, vuri re sjellje shqetësuese të një fëmije i cili ishte i shoqëruar nga njerku i tij.
Kjo sjellje e bëri atë të dyshonte dhe përdori një shënim të fshehtë për të pyetur djalin nëse kishte nevojë për ndihmë, bëri me dije Zyra e Prokurorit të Shtetit të Orange County në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Djali 11-vjeçar dhe familja e tij ishin në restorantin “Ms. Potato” në Orlando më 1 janar 2021, kur Flaviane Carvalho vuri re se ai ishte ulur i veçuar nga prindërit dhe motra e tij, nuk po hante ushqimin dhe kishte të nxira dhe gërvishtje ne trup dhe fytyrë, raportoi CNN.
Carvalho qëndroi pas prindërve të djalit dhe shkruajti një letër duke e pyetur djalin nëse ishte mirë. Kur fëmija tundi kokën duke thënë jo, ajo shkroi një shënim të dytë ku pyeti: “A ke nevojë për ndihmë”.
Pasi djali tundi kokën duke thënë po, Carvalho thirri shefin e saj dhe më pas njoftuan policinë.
Pasi policia mbërriti dhe mori në pyetje fëmijën, njerku i tij Timothy Lee Wilson, 36 vjeç u arrestua në restorant dhe nëna e djalit, Kristen Swann, u dërgua në paraburgim disa ditë më vonë.

Hetimi zbuloi se djali mbahej larg familjes së tij në një dhomë hoteli, i mohoheshin e ngrëna dhe e pira dhe se i nënshtrohej ushtrimeve të stilit ushtarak dhe abuzimeve të tjera.
Autori rrezikon burg dhe vendimi ndaj tij do të jepet më 19 gusht 2022.
Djali u dërgua në një spital ku u zbulua se ishte 20 kilogramë nënpeshë për moshën e tij, gjithashtu kishte të nxira në pjesë të ndryshme në të gjithë trupin e tij.
Hetuesit më vonë zbuluan se djali ishte “torturuar”.
Prokurorët thanë se djali ishte varur me kokë poshtë në një derë, në një rast tjetër ishte lidhur me pranga në një karrocë kukullash, raporton “Panorama”.
“Ajo që ky fëmijë kishte kaluar, ishte torturë. Unë jam nënë dhe të shoh se çfarë ka kaluar ai 11-vjeçar… Të trondit shpirtin”, tha një punonjëse policie.





