Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, të enjten, deklaroi se ka hyrë në çdo shtëpi të qytetarëve të Durrësit për të kërkuar votat.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse ka folur me anëtarë të bandës së Avdylajve në Shijak, Dako tha se takon me persona të ndryshëm për të marrë sa më shumë vota.

Blendi Fevziu: Keni folur ju me këta persona?

Vangjush Dako: Unë jam kryetar i Bashkisë së Durrësit, jam njeri i zgjedhur me votë dhe për të marrë votën do komunikoj me çdo qytetar të Durrësit. Në çdo qendër elektorale unë marr listën e zgjedhësve. Shkoj dhe takoj çdo njeri i cili ka reputacion, apo është njeri i famshëm i asaj familje dhe ka mundësi të më ndihmojë me zgjedhjet. Shkoj në çdo qendër elektorale. I marr kontaktet për t’i kërkuar votën.

Blendi Fevziu: E dinit që ishin persona me precedent penal?

Vangjush Dako: Kur kërkoj votën nuk shikoj as diplomën, as dëshminë e penalitetit. Nuk i kam parë ato përgjime, kam folur me qytetarët në zgjedhje.

Blendi Fevziu: Keni bërë pazare për zgjedhjet?

Vangjush Dako: Asnjë pazar fare. Jam udhëheqës politik i qarkut Durrës.

Blendi Fevziu: I keni bërë favore këtye personave?

Vangjush Dako: Asnjë person nuk ka marrë asnjë favor nga Vangjush Dako kundra ligjit. Për mua s’ka bir kurve që të ma kalojë sa shumë flas në telefon.