Efektivi i “Operacionales”, E. Sh., i cili u ndalua sot nga AMP, është fundosur nga mesazhet që janë zbuluar në celularët e të arrestuarve dhe dyshohet se ka pasur dijeni për kokainën e gjetur në automjetin ku ndodheshin tre të rinjve E., S., I. B., dhe Sh. O., gjatë aksionit të antidrogës mbrëmjen e 21 marsit.

Burime bëjnë me dije se nga zbërthimi i telefonave celularë të të rinjve që po trafikonin lëndën narkotike u zbulua se ishte i përfshirë edhe efektivi E. Sh.

Mësohet se në telefonin një prej të rinjve të arrestuar mbrëmjen kur u zhvillua aksioni i agjentëve të antidrogës ka pasur 7 thirrje të humbura nga efektivi i Operacionales, i cili dyshohet se ka qenë në zonën ku ka ndodhur ngjarja dhe ka tentuar t’i njoftojë të rinjtë.

Dyshohet gjithashtu se ka lajmëruar edhe grupin tjetër që tre të rinjtë do të shkëmbenin drogën me paratë.

Është zbuluar edhe një mesazh një telefonin e një prej të arrestuarve ku efektivi i shkruan: “A mbaruat punë?”. Gjithashtu numri i tij ishte regjistruar në një prej telefonave të të arrestuarve me emrin “Visi i pazarit” dhe ai dyshohet se ishte personi që bënte lidhjen e grupeve kriminale dhe pazarin për lëndët narkotike.

38-vjeçari po hetohet nëse ka pasur lidhje me banda të tjera kriminale. Ndërsa është marrë në pyetje, ai ka mohuar të jetë i përfshirë në ngjarje.