Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i jep presidentit shumë autoritet për të falur ata që janë akuzuar, apo dënuar për krime federale; por, a i lejon Kushtetuta presidentit që të falë veten? Askush nuk e di me siguri këtë.

Kjo pyetje mori një rëndësi tjetër pas lajmeve se Trump dhe ekipi i tij ligjor, po diskutojnë mbi kufijtë e fuqisë së presidentit për të falur jo vetëm të tjerët, por edhe veten e tij.

Ky debat i brendshëm në Shtëpinë e Bardhë është pjesë e një përpjekjeje për t’i dhënë fund hetimit të drejtuar nga këshilltari special, Robert Mueller, i cili po kërkon për lidhje të mundshme midis fushatës së zotit Trump dhe rusëve, të cilët u përpoqën të ndërhynin në procesin zgjedhor të vitit të kaluar.

Pushteti për të falur, një koncept i gjerë

Në Kushtetutë, paragrafi që ka të bëjë me të drejtën e presidentit për të falur është tepër i shkurtër: “Presidenti… ka autoritetin të anulojë dënime, apo të falë krimet kundër Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të procesit për shkarkimin e presidentit”.

Çka nënkupton se pushteti i presidentit për të falur është i madh – me pak fjalë, Trump mund të falë, apo anulojë (pra, të reduktojë apo heqë krejtësisht një dënim) çdokënd që është akuzuar se ka kryer, apo është dënuar për krime federale, për aq kohë që ky hap nuk ka të bëjë me procesin e shkarkimit të presidentit.

Por në këtë klauzolë nuk përmendet nëse presidenti mund të falë veten. Dhe duke qenë se asnjë president nuk ka provuar ta bëjë këtë, çështja nuk ka shkuar kurrë deri në gjykatë dhe ka mbetur kësisoj e pazgjidhur.

“Argumentet më të mira anojnë nga ana se ai nuk-mundet”, thotë Brian Kalt, pedagog i juridikut që studion pushtetin e presidentit, në Universitetin Shtetëror të Miçiganit. “Por gjithsesi ne këtë nuk mund ta dimë me siguri, deri në momentin kur vendos gjykata”.

Kufizime kushtetuese?

Disa janë të mendimit se presidenti nuk mund ta falë veten, pasi kjo do të binte në kundërshtim me parimin themelor të Kushtetutës se “askush nuk mund të gjykojë veten”. Praktikisht, shtojnë ata, nëse presidenti do ta falte veten, atëherë ai do të dilte mbi ligjin.

Argumentet pro së drejtës së presidentit për të falur veten, kapen pas asaj se “Kushtetuta nuk e ndalon diçka të tillë”. Ndër ata që e përkrahin këtë pikëpamje janë edhe gjykatësi Richard Posner i Gjykatës së 7-të të Apelit, i cili e trajtoi këtë temë në një libër të botuar në 1999-n, ku flitet për procesin e shkarkimit të ish-presidentit Bill Clinton.

“Lihet të kuptohet nga gjuha e Kushtetutës, se presidenti mund ta falë veten dhe ndonëse kjo është vënë në dyshim, nuk ka gjasa që Gjykata e Lartë të ketë kurajon të interpretojë në klauzolën e faljes, një përjashtim për vetfalje”, thotë gjykatësi Posner.

Për herë të parë

Trump nuk është i pari presidenti i Amerikës që ka menduar për të falur veten.

Gjatë skandalit të Watergate-it në vitin 1970, disa nga juristët e Riçard Niksonit, thanë se një falje e vetes ishte e ligjshme; sidoqoftë, Zyra e Këshillimit Ligjor në Departamentin e Drejtësisë mbajti qëndrimin se presidenti nuk mund ta aplikonte pushtetin e faljes te vetja.

Edhe Niksoni doli më pas kundër faljes së vetes. Pasi ai dha dorëheqjen, pasuesi i tij, Presidenti Gerald Ford, e fali Niksonin për të gjitha krimet federale që ai “kishte kryer, mund të kishte kryer apo në të cilat kishte marrë pjesë gjatë kohës që ishte president.”

Edhe juristët e ish presidentit Bill Clinton e këshilluan atë që të falte veten pas skandalit Lewinski në vitin 1990, por ai nuk e bëri këtë.

Precedent i keq?

Disa ekspertë shprehen se nëse presidenti do të kryente një akt të faljes së vetes, kjo do krijonte një precedent të keq, duke e bërë kësisoj zyrën e presidentit të paprekshme.

Edhe sikur Trump ta falte veten, sërish nga ky vendim mund të buronin një sërë dëmesh politike dhe ligjore, paralajmëron profesori i juridikut, Kalt.

“Si fillim, ai prapë rrezikon një proces për shkarkimin e tij nëse do vendoste të falte veten”, thotë Kalt. “Së dyti, ai mund të ndiqet penalisht” nëse do vërtetohej se e ka përdorur pushtetin e faljes për të penguar drejtësinë.”

Jeffrey Crouch, profesor në Universitetin Amerikan dhe autor i një libri që trajton pikërisht të drejtën e presidentit për të falur, mendon se vetfalja e presidentit do ishte e rrezikshme.

“Një çështje e vjetër në Gjykatën e Lartë dëshmon se edhe të pranosh një falje është faj”, thotë ai. “Kështu që, një president, kur fal veten, mund të jetë duke rrezikuar që të nxisë një proces për shkarkimin e tij”. /Zëri i Amerikës/