Durrësi është pjesë e elitës së qyteteve të Shqipërisë përsa i përket turizmit. A mundet qyteti ynë të konkurojë me qytetet më në zë ballkanike dhe europiane përsa i përket turizmit?

Në një farë mënyre, jemi në dijeni që dikasteret përkatëse kanë bërë një goxha investim për impiantin e ndarjes dhe sistemimit të ujërave, që ka lidhje me infrastrukturën e plazhit, investim që duhej të ishte bërë me kohë, jo sot. Gjithsesi “më mirë vonë se kurrë” thotë populli. Por thelbi i problemit që ka lidhje më shumë me turizmin, qëndron tek menaxhimi i monumenteve dhe objekteve të kultit, të cilat kanë lidhje me historinë mijëra vjeçare të qytetit. Historia është sekreti i thithjes së turistëve të huaj. Turistin e tërheqin gjërat e vjetra që kanë lidhje me historinë shumë shekullore të civilizimit të vjetër, ku në periudha të ndryshme të historisë përshkruhet zhvillimi periodik i këtij qyteti mijëra vjeçar. Italia, Greqia, një pjesë e mirë e Turqisë dhe shumë shtete të tjera europiane tërheqin me mijëra turistë në ditë, pasi dinë mirë si menaxhohet tradicionalja, e vjetra, e cila dëshmon bindshëm prejardhjen kulturore e historike mijëra vjeçare, të ekzistencës së tyre si komb.

Durrësit, monumentet, të cilat dëshmojnë qartë historinë e lashtë të popullit tonë, nuk i mungojnë, përkundrazi i ka me tepricë. Vetëm menaxhimi korrekt, një kuadër ligjor i rreptë në këtë drejtim dhe investimet shtetërore do të garantonin një menaxhim sa më efikas të këtyre monumenteve të lashtësisë. Kjo është nyja kyçe, që tërheq turistë nga e gjithë bota. Një shembull i mirë në këtë drejtim është qyteti i Pizës. Në periudhën e verës, qyteti vizitohet nga pothuajse 25000 turistë në ditë, te cilët vijnë nga e gjithë bota, dhe e gjithë kjo falë ruajtjes dhe menaxhimit të mirë të monumenteve të lashtësisë. Po kështu dhe Firenze, Venezia, Milano, janë qytete që trashëgojnë një pasuri të madhe historiko-kulturore të përbërë nga monumente, muzeume, vepra arti apo ndërtesa me stile arkitektonike shumë shekullore. Shqipërisë nuk i mungojnë këto pasuri, sidomos Durrësi, i ka me shumicë e të tilla janë: amfiteatri, torra e vjetër mesjetare, muri rrethues i kalasë së qytetit si dhe peisazhi i bukur që nëna natyrë i ka falur me mrekullinë e saj Durrësit tonë.

Kemi shumë ç’ti tregojmë botës, na mbetet të themi se jemi akoma me semafor portokalli, përsa i përket turizmit. Më pak investime dhe me shumë projekte, të cilat të jenë në funksion të turizmit, duke ia përshtatur dhe traditës historike të antikitetit të lashtë të qytetit tonë 2400 vjeçar, besoj se do të jemi në garë me simotrat tona ballkanike Budva, Dubrovniku, Selaniku, Stambolli, Ulqini pse jo dhe me simotrat europiane, Venezia, Amsterdam, Roma, Piza etj. Në Durrës historia e lashtë e qytetit kombinohet natyrshëm me detin, me amfiteatrin. Durrësi është pjesë e elitës së qyteteve të Shqipërisë përsa i përket turizmit. A mundet qyteti ynë të konkurojë me qytetet më në zë ballkanike dhe europiane, përsa i përket turizmit?

DARIO KODRA: Do të thoja se një turizëm i përshtatshëm për pushuesit, do të rriste konsumin, gjë që sjell mirëqënien për të gjithë tregtarët të mëdhej apo të vegjël qofshin ata. Në Ballkan, unë mendoj se nuk mund të krahasohet duke menduar këtu Greqinë dhe Kroacinë gjithashtu dhe pjesën e detit të Zi. Unë mendoj ''JO''. Dikur në kohën e socializmit traktorët dilnin në muajin mars duke punuar vijën bregdetare nga agipi deri tek blloku. Sot rëra është e lagur dhe e ngjeshur. Durrësi është portofol dhe biletë vizitorësh për Shqipërinë. Nuk kemi çfarë të themi për Gjirin e Lalzit, është vërtetë i bukur, të paktën ajo pjesë krahasohet me kë të duash.

MIMOZA SALIAJ:Nëna natyrë na ka falur një bregdet dhe një klimë të mrekullueshme. Pyetjes së Kujtimit do i përgjigjem me: ne kemi se çfarë t’u tregojmë turistëve. A duhet të bëhen rregullime, projekte etj? Sigurisht që duhet. Ju vetë keni sjellë këtu në Forum foto të bukura nga ky bregdet dhe ne që jetojmë jashtë jemi mrekulluar. Kemi historinë tonë, me të cilën mund të mburremi. Durrësi është një nga qytetet më të lashta të Evropës, një nga kryeqendrat e zhvillimit dhe tregëtisë. Mos e nxisni çdo gjë. Unë mendoj “PO”.

ANILA LITI MEJDANI:Në Durrës dhe ne që jemi vendas, disa gjëra i kalojmë me një "hajde more" dhe një "kemi ardhur për prindërit". Është e vështirë, sepse nuk ekziston edukata e punës dhe mirësjellja minimale në shumë shërbime. Vjen nga jashtë, shkon në të njëjtin lokal, në të cilin ke qenë dhe një vit më parë (e ke mbajtur në mendje një vit të tërë) dhe thua ça i bëra vetes. Që të mund të quhet Durrësi konkurent në tregun e turizmit, i duhet shumë punë. Unë jam duke folur vetëm për njerëzit, sepse po filluam të analizojmë edhe të tjerat do të dëgjohet JO-ja shumë larg.

ANDI PAPA: Që të merresh me turizmin e brendshëm dhe të huaj, është komplet një temë më vete, që duhet analizuar në shumë aspekte: deti, bregdeti, rëra, parqet, lulishtet, rrugët, parkimet, pastërtia, qetësia, siguria, mjekësia (s'e di nëse harrova ndonjë gjë tjetër) dhe përpara së gjithash NJERIU. Disa prej pikave më lart përfshihen në emrin planimetri. Fatkeqësisht në Durrës, planimetria bëhet dhe është bërë për zonat bregdetare, duke i shndërruar në qendra urbane. Kjo do të thotë disfatë dhe krim. Për momentin, që të japësh një zgjidhje për Durrësin është e pamundur, por jo e parealizueshme. Çmenduria që më kap me temën e Durrësit dhe sidomos të planimetrisë dhe urbanistikës, më duhen javë të tëra të flas për to, sepse këtu ku jam merrem me ligjet e planimetrisë dhe të urbanistikës. Mund të them vetëm për vijën bregdetare. Në zonat e banuara, vija bregdetare është ajo që caktohet nga shteti dhe është ajo që mendohet se ku ndalon dallga më e madhe në ditë furtune. Pas vijës bregdetare lejohet ndërtimi në të paktën 10 m larg saj, kurse në vendet e pa banuara kjo distancë është të paktën 30 m. Kujtim, kjo është një pyetje shumë delikate dhe shumë e rëndësishme. Turizmin, harrojeni në Durrës për momentin, por mjafton të mendosh që ka edhe gjëra të tjera për t'u marrë. Atje njerëzit hapin, lokale, baste, kafene dhe pabe. Sa bukur një herë e një kohë që kishim një qytet me sa e sa uzina dhe fabrika ku punonin më shumë se gjysma e popullit durrsak.

PETRIT PACANI:Durrësi i ka të gjitha mundësitë, por duhet vënë dorë në shumë gjëra. Të vjen sa të qeshësh aq dhe të qash kur shoh këtu afër ku banoj unë, 2 karroca me gurë të hedhura, janë dhe 3 kollona ku çdo ditë aty vijnë mbi dhjetra autobuza me turistë. Ne me gjithë atë amfiteatër kemi shumë pak turistë. Durrësin e ka mbajtur Zoti me hatër, i ka fal gjithçka, por janë njerëzit ata që bëjnë diferencën në mënyrën e punës dhe të strategjive.

VOCI DAKOVELLI:Bregdeti i Durrësit nga shtrirja e vijës, është e njëjtë me bregun e detit në Itali. Unë kam parë Frankavila, Pescara, nuk krahasohen me ndertimet. Vilat 3 katëshe, pemët, lulet. Bregu i detit të Durrësit mbushur me ndërtimet shumëkatëshe ku as rëra nuk duket, jo të punohet me traktorë siç thotë Indriti. Me një fjalë, nuk i vjen erë turizmit, jo të zhvillohet.

LAVDOSH ABAZAJ:Personalisht i kam bërë pushimet gjithmonë në Durrës, me përjashtim të disa rasteve. Durrësi është i pisët, i rrëmujshëm, deti i ndotur, nuk ka gjelbërim, nuk ka rrugë, por për dreq më tërheq prapë marrëzisht. Dëgjoni, vjet në verë, po flisja me një të afërmin tim, i cili që prej 6 vjetësh është kthyer në Shqipëri. Ky miku im la një perlë këtu siç është Ricione e Italisë. Shiti shtëpi e katandi, ai së bashkë me një shokun e tij të ngushtë dhe blenë një goxha lokal në Durrës, në bash të vendit. Duke diskutuar me mikun tim, midis të tjerash e pyeta: pse mbante aq shumë kamarierë? Kishte diku ke 13-14 kamarierë. Përgjigjia ishte: nuk kanë kulturë pune të rinjtë e sotëm dhe se të lenë pushkën në faqe në çdo moment. Këtu e keqja, më thoshte ndër të tjera miku im është se nuk kemi ndërruar akoma mentalitet. Punëtorit duhet t’i rrish me çekiç në kokë, se për ndryshe puna nuk ecën. A e ke idenë më thoshte miku im, që sot pa filluar punë kam paguar 60 mijë lekë botin e ujit, dhe që korenti ikën e vjen si pas qejfit (ujë, korent sa qesharake). Fundja fare, shteti duhet t’i garantojë që të dyja, sepse qytetari ka lidhur një kontratë me këtë shtet. Sipas meje nuk mund t’i konkurojmë dot fqinjët tanë, as Greqinë që i kam parë vetëm Korfuzin, as Kroacinë, as edhe modestin Malin e Zi. Më vjen keq, por kjo është e vërtetë. Ne na duhet edhe shumë punë për të bërë, por së pari duhet të punojmë me vetveten, të ndryshojmë mentalitetin, pastaj mund edhe të shpresojmë.

AGRON TRIMI:Pyetja e Kujtimit të përcjell në një farë mënyre dëshirën që qyteti ynë të jetë i konkurueshëm në turizëm. Shumë persona që vijnë pas shumë vitesh në Durrës shohin shumë ndryshime dhe realisht ka ndryshuar shumë. Qyteti ndryshon me të mirat dhe të keqijat e tij, këtu përfshihet dhe turizmi. Si numër turistësh, sigurisht që janë shtuar dhe kjo është evidente për të gjithë. Probleme siç u përmend dhe më lart ka. Të gjithë nuk duhet të flasim sikur po ia themi dikujt tjetër këto probleme, sepse dashur pa dashur të gjithë ne kemi kontribuar nga pak, që këtu të ketë kaq gjëra që të lenë shije aspak të mirë. E pra, siç kemi kontribuar të gjithë nga pak për t’ja shuar problemet qytetit tonë, kështu dhe duhet që të japim pa ngurrim të gjithë kontributin tonë, që ky qytet të bëhet konkurues me qytetet e tjera me zë në turizëm.

ARDIAN KAVAJA:Kujtimi ka shumë të drejtë, sepse Durrësi është qyteti kryesor përsa i përket turizmit, ka një shtrirje bregdetare të mrekullueshme, pa përmendur lashtësinë. Por, për këtë bregdet të mrekullueshëm komuna, ose qeveria do mendojë ndonjë herë për të bërë një ndryshim sado të vogël për shembull: Impiantin e ujërave të zeza dhe impiantin e ujërave të ëmbla. Përsa i përket (tubit në det) nuk ekziston më, sepse është vendosur kanalizimi për vijën e parë. Ndërtimet në brezin e parë nuk shkarkojnë më në det: Turizmi është i hapur për këtë sezon dhe shpresojmë që të kemi sa më shumë turistë.