SHBA – Një kongresmen amerikan ka paraqitur një projektligj që mund të ndryshojë amendamentin 22 të kushtetutës, që kufizon Presidentin e SHBA-ve të shërbejë vetëm për dy mandate.

Nëse projektligji miratohet, kjo do t’i lejonte Barak Obamës që të garonte për t’u rizgjedhur për herë të tretë në zgjedhjet e vitit 2016.

Propozimi është bërë nga kongresmeni Jose Serrano, i cili e ka paraqitur projektligjin me 4 janar, pasi më parë u rrëzua në janar të vitit 2011. Serrano një projektligj të tillë e ka paraqitur çdo dy vite që prej vitit 1997.

Kalimi i këtij propozimi do të thoshte që Obama mund të jetë presidenti i parë që do të kërkonte një mandat të tretë që prej Franklin Rusveltit.

Ish-Presidenti Ronald Regan në një intervistë në vitin 1986 tha se amandamenti 22 “ishte një gabim”, ndërsa ish-Presidenti Bill Klinton gjithmonë ka besuar se duhet të ishte opsioni që presidenti mund të kërkonte të zgjidhej në një kohë të mëvonshme edhe pse ka shërbyer dy mandate.

Një amendament i tillë është mbështetur gjithnjë nga Demokratët dhe Republikanët, por asnjëherë nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme për të hyrë në fuqi.

Kongresi e ka miratuar amendamentin 22 më 21 mars 1947. Ligji u ratifikua nga 41 shtete dhe u kundërshtua nga vetëm dy prej tyre. Ligji nuk pati efekt mbi presidentin e atëhershëm në detyrë, Harry Truman, i cili tërhoqi kandidaturën për t'u rizgjedhur në vitin 1952.