Një situatë tërësisht e pazakontë kjo e kryeministrit Edi Rama, i cili në dalje nga qendra e votimit në Surrel u përball me gazetarët.

Gazetarët kishin një mori pyetjesh për kryeministrin, i cili pasi iu përgjigj disave tentoi të largohej, por u ndesh me Klodiana Lalën e cila e pyeste se si ishte ndjesia të votohej si në komunizëm. Pas kësaj Rama, i kërkoi gazetarëve t’i hapnin rrugën, por ata këmbëngulnin të merrnin një përgjigje.

“A mund të ma hapni rrugën? A mund të ma hapni rrugën? Akoma nuk e mësuat se askujt që është në të drejtën e vet nuk i zihet rruga? A mund të ma hapni rrugën? A mund të ma hapni rrugën? A mund të ma hapni rrugën? Ja kjo është diferenca. Sot të zenë rrugën gazetarët, të jesh kush të jesh”, tha Rama, ndërsa më në fund gazetarët u dorëzuan dhe e lejuan të kalonte me bashkëshorten e tij Lindën.