Akuzat se Prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis kishte një marrëdhënie të papërshtatshme me prokurorin e posaçëm që ajo ngarkoi për hetimet ndaj ish presidentit Donald Trump dhe të akuzuarve të tjerë, për ndërhyrje në zgjedhjet në Xhorxhia në vitin 2020, kanë nxitur edhe një herë thirrjet për tia hequr asaj këtë çështje.

Zonja Willis ka mbrojtur vendimin e saj për të punësuar Nathan Wade, i cili ka pak përvojë në prokurori dhe nuk e ka mohuar në mënyrë direkte lidhjen romantike. Akuzat u bënë publike fillimisht në një mocion të paraqitur në fillim të këtij muaji nga avokati mbrojtës Ashleigh Merchant, i cili përfaqëson ish-punonjësin e fushatës së Presidenti Trump dhe ndihmësin e Shtëpisë së Bardhë, Michael Roman.

Avokati Merchant pretendon se zyra e zonjës Willis i ka bërë pagesa të mëdha prokurorit Wade dhe se më pas, ajo përfitoi në mënyrë të papërshtatme, kur prokurori pagoi që ata të shkonin bashkë me pushime. Ai nuk ka ofruar asnjë provë për marrëdhënien e supozuar. Por, një dokument i depozituar javën e kaluar nga bashkëshortja e prokurorit Wade në çështjen për divorc mes tyre, përfshin të dhënat e kartës së kreditit, që tregojnë se zoti Wade bleu bileta avioni për zonjën Willis për të udhëtuar bashkë me të në Majami dhe San Fransisko.

Zonja Willis, e zgjedhur nga demokratët, nuk ka dhënë sinjale se mundë të japë dorëheqjen, por ka mënyra se si ajo mund të largohet nga çështja.