Kushedi sa herë na ka ndodhur që të vendosim ndonjë skedinë, të na djegë ndonjë ndeshje e sigurt si Barcelona apo Bajerni në shtëpi dhe pastaj shohim ndonjërin që nuk merr vesh shumë nga futbolli, duke kapur skedinë me koeficient 200 apo 300, me vetëm 100 apo 200 lekë.
Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Angli, por kjo histori është vërtet e pabesueshme. Një person i papunë, Stiv Seils, 54 vjeç, luajti vetëm 1.4 sterlina bast (më pak se dy euro), për 3 ndeshje të Kupës së Ligës së Skocisë, fundjavën e shkuar.
Basti ishte që të tre ndeshjet e zgjedhura prej tij, Invernes-Arbroth, Dandi-Forfar dhe Ros Kaunti-Kouv Reinxhers, do të përfundonin 7-0, por edhe nëse një prej tyre dilte 7-0, ai sërish fitonte një shumë të vogël (kombinim 1, 2, 3 ndeshje). E pabesueshme, të tre ndeshjet përfunduan 7-0 dhe bastvënësi fatlum, që nuk e ka haberin fare nga futbolli skocez (siç deklaroi vetë) fitoi 57,990 sterlina!
Lajmin e ka publikuar vetë kompania ku u fitua basti i çmendur, BetFred. Natyrisht, tani nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të themi: Bravo, por pse nuk i fute 2 sterlina të paktën?!





