Nga Rexhep Meidani

Po riprodhoj në këto radhë disa vlerësime të dërguara në mënyrë elektronike nga një shqiptar i mirë, që ndjek me gëzim e dhembje, me dashuri e devocion vetë zhvillimet shqiptare, sidomos ato në planin politik e qeverisës. Përveç ndonjë retushimi timin (që mund të shtonte më shumë pakënaqësinë dhe ashpërsinë e reagimit të “krenaristëve”) dhe shumicën e nëntitujve, pjesa e radhitur, këtu më poshtë, është thelbi i vlerësimit të tij.

EFEKTE PAMORE E “VJELLJA” E NGJYRAVE

Shumë vite më parë, dalja në televizion me një sëpatë në dorë për të përshpejtuar një projekt rrugor; apo ngjyrosja e fasadave të pallateve të mëparshme gati-gati uniforme, të ndërtuara gjatë komunizmit, sidomos “loja” e ngjyrave mbi to, u pritën diku me entuziazëm, diku dhe me buzëgaz. Madje, në rastin e ngjyrosjes së fasadave dhe ballkoneve, nuk u kursye dhe ndonjë çmim ndërkombëtar! Por, në thelb, asnjeri nuk mendoi gjatë për atë që do të shihej e shpalosej më tej. Dhe, në fakt, ajo që po ndodh në procesin qeverisës, në aspektin përmbajtësor, ka qenë theksimi i arrogancës në vendimmarrje, lënia mënjanë e kritereve dhe kushtëzimeve ligjore, përfshirë edhe prirjen e dukshme për reduktimin e hapësirës së gjelbër. Ndërsa, në aspektin pamor, krahas “teatrit” e “fasadës”, ajo që vihet re është çngjyrosja e bojës, shpëlarja e ngjyrave, zbehja e vjellja e tyre. Sepse, në fund të fundit, “marifetet” estetike ose joestetike kanë vetëm efekte kohëshkurtër! Aq më keq, kur vazhdohet të gënjehet, edhe kur të kuptohet e të lexohet gënjeshtra!…

HUAZIMI E LARGIMI I PËRGJEGJËSISË

Po të analizohen me kujdes pozicionet udhëheqëse gjoja globale, gjoja pretendimet vizionare apo idetë e ekspozuara me zhurmë nga PS-ja (në fakt, nga një kryetar pa mandat), në shumicën e rasteve ato kanë qenë thjesht huazime, edhe pse shpesh të zbukuruara dhe të mbushura me retorikë, për t’u dukur si origjinale. Rasti më tipik është paketa e propozuar (e huazuar) në një kongres socialist me vendimmarrje “luhatëse” të çuditshme, ku, pas rrëzimit të “paketës reformuese” të pompuar me javë të tëra, gjithçka e lidhur me hartimin e saj u mor përsipër brenda minutës nga një person tjetër (që për këtë dha dorëheqjen!), edhe pse më parë ishte deklaruar një autorësi e ndryshme…! Sidoqoftë, jo vetëm huazimi prej tij si veçori bashkëshoqëruese, por dhe përvetësimi i fitores, nga njëra anë, apo heqja, largimi prej vetes e dështimit, nga ana tjetër, ka qenë një veçori tjetër! Ky largim faji prej vetes po vihet re dhe në rastin e kriminalizimit të Grupit Parlamentar socialist, ku përgjegjësia e plotë, që në origjinën e përzgjedhjes, ka qenë ajo e kryetarit të PS-së; ndërkohë që “pastrimet” e detyruara të këtyre muajve të fundit janë pompuar si qëndrime serioze të tij! Kjo, edhe pse, aty-këtu, konstatohen “marifete”, mbulime e transferime nga përfaqësimi politik tek ai partiak, pikërisht, për minimizime qejfmbetjesh!…

HEDHJE IDESH PA I “NDJERË” ATO

Jo vetëm në fushatë, por dhe në të gjitha aktivitetet partiake në opozitë, para zgjedhjeve të vitit 2013, ajo që pretendohej nga udhëheqja e PS-së ishte lufta kundër korrupsionit politik e administrativ, një qeverisje e ndershme dhe angazhim individësh me integritet në përfaqësimin politik e partiak, në të gjitha detyrat kryesore qeverisëse e administrative. Në fakt, po të analizohet ky përfaqësim në nivelin qendror e atë vendor, vihet re një shmangie e dukshme nga ajo që është deklaruar më parë. Aq sa, kohët e fundit, u përfshi, në kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, edhe ai që nuk ishte vendosur kurrë më parë – procesi i dekriminalizimit të Parlamentit. Të shohim si do të kryhet ai me miratimin e bazës praktike ligjore të ditëve të fundit. Dhe, natyrisht, si do të çohet më tej një proces i tillë dekriminalizimi në pastrimin e qeverisjes vendore apo të vetë strukturave e forumeve kryesore partiake…

ANARKI ORIENTIMI E VEPRIMI

Shumë nga idetë e ekspozuara dhe më tej të hedhura në eter gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme kanë qenë ose anarkike, ose të pastudiuara. Shumë prej tyre u bënë publike, pa llogaritje financiare, dhe, akoma më keq, pa i ndierë ato. Madje, u dhanë mjaft premtime, që as nuk mund të mbaheshin dot. Tipik është, p.sh., premtimi për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës brenda katër vjetëve të qeverisjes! Dhe, natyrisht, nuk bëhej fjalë për të ashtuquajturin formalizim të punësimit, siç pretendohet gjoja sot, por për hapje vendesh të reja, pra për punësim individësh që nuk ishin punësuar (paguar) më parë apo që e kishin humbur atë vend punë (pagë)! Dhe, ky premtim, pavarësisht mbrojtjes së vagët të servilëve e heshtjes së mjaft specialistëve, ishte e mbetet absurd nisur dhe nga situata konkrete financiare, publike e private në Shqipëri. Këtë nuk e mbulon dot as hapja e zyrave të punës, as anarkia e veprimit apo e kalimit nga një çështje në një tjetër, as propaganda për të mbuluar atë që nuk mbulohet; madje rezultati krejtësisht i vagët, tejet larg premtimit, është më se evident në sytë e qytetarit, në vitin e tretë të qeverisjes; pavar- ësisht çfarë gënjehet, pa e prishur fare terezinë.

REFORMË – SI PËRQENDRIM PUSHTETI

Përqendrimi i pushtetit, akumulimi i tij në një dorë, është shpalosur qartazi në mjaft veprime e projeksione politike, miratime ligjore e hapa konkretë të kësaj shumice qeverisëse. Madje, në disa raste, edhe më qartë e më shumë se ajo që ka ndodhur më parë në qeverisje socialiste ose demokratike. Ilustrim i drejtpërdrejtë në këtë tentativë për përqendrim pushteti janë vendimet e ndryshme të Gjykatës Kushtetuese, në të cilat janë hedhur poshtë aksione ekzekutive e legjislative, të konsideruara në kundërshtim me vetë Kushtetutën e Shqipërisë. Shumë flagrant është, p.sh., edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese kundër neneve tatimore të “supergjobave” ndaj biznesit.

AUTOKRACI E PROPAGANDUAR SI DEMOKRACI

Autokracia qeverisëse është shpalosur, jo vetëm në prirjen për akumulim joligjor e kushtetues të pushtetit, por dhe si vanitet, kryeneçi e arrogancë partiake. Këtë e dëshmon qartazi shkelja e statutit të partisë gjatë 3 vjetëve të fundit, në zgjedhjen e kryetarit të partisë në qendër e rrethe apo për forumet e tjera. Dhe, në vend të reflektohet, ngulet këmbë me “budallallëk” se po ndiqet modeli laburist nga PS-ja! Por, nuk është thjesht kjo këmbëngulje “ngërdheshëse” problemi i vetëm, sepse brenda forumeve të partisë, prej vitesh, nuk respektohen më disa parime bazike të organizimit partiak si ai etik, ai i konsensusit, mirëkuptimit e tolerancës, debatit e respektimit të vendimmarrjes në forume, parimi i kolegjialitetit, i solidaritetit e kohezionit, i integritetit të individit përfaqësues etj. Është arritur deri aty sa të mos njoftohen për mbledhje e takime partiake, për zgjedhje e votim delegatësh, mjaft oponentë ndaj udhëheqjes së partisë, edhe pse argumentet e tyre ligjore, në respekt të statutit, janë krejtësisht evidente. Me fjalë të tjera, PSja e sotme, në vend të një partie demokratike anëtarësh të bashkuar në mënyrë vullnetare, është shndërruar në një parti kryetari dhe e disa njerëzve pranë, siç ndeshet më shpesh në organizata klanore e mafioze.

PËRDORIM “TELLALLËSH” PARTIAKË

E keqja më e madhe është se në prag të kongresit janë shtuar deklarimet e veprimet arrogante, por dhe individët pa integritet apo të ashtuquajturit “tellallë” partiakë. Në fakt, faji nuk është i tyre, sepse këtë specie e ndesh kudo në botë, madje dhe në atë demokratike. Faji i vërtetë është i atyre që e parapëlqejnë këtë specie “kameleoni”, që i nxisin dhe i inkurajojnë këta “tellallë”, apo që, mjaft shpesh, edhe i shpërblejnë me detyra publike për misionin e tyre të pseudo-argumentimit, pseudo-mbrojtjes e “ngjyrosjes” absurde. Të vjen keq për këtë keqpërdorim, sepse ky lloj “shërbimi” publik ka pa dyshim pagesën e vet individuale e kolektive, konsumin politik e zhyerjen kohore të dinjitetit njerëzor. Madje, disa tipa të tillë, në qeverisjen e mëparshme socialiste tashmë janë krejtësisht të harruar. Prandaj dhe këta të sotmit të dhimbsen jo pak, sidomos kur i sheh të mbrojnë atë që nuk mbrohet, që s’përtojnë deri në “shkumëzim”, duke përsëritur pa pushim atë që u kërkohet nga shefi…

* * *

Shqetësimet e mësipërme shprehin vetëm disa nga shformimet e PS-së së sotme, të drejtimit të saj. Ato mund të vlerësohen realisht absurde, po të kihet parasysh se bëhet fjalë për një parti politike të spektrit të majtë dhe qendrës së majtë, që, vite më parë, konsiderohej jo vetëm demokratike e liberale, por dhe që respektonte me seriozitet në të gjithë vendimmarrjen dokumentet bazë të saj. Ishte respektimi tërësor i tyre që, dhe në periudha tejet të vështira për atë parti, nuk i lejoi, në asnjë rast, luhatjet individuale e anarkiste në drejtimin e saj; krejt ndryshe nga ajo që po ndodh e ka ndodhur vitet e fundit…