Transferimi i Latif Amadu drejt kampionatit bjellorus është padiskutim një lajm i mirë për Teutën dhe për kampionatin shqiptar,që vijon të prodhojë elemente për të mbushur arkat e klubeve. Djemtë e Detit padiskutim që do të përfitojnë një shifër të konsiderueshme por çdo e mirë e ka një të keqe prapa. Me këtë largim trajneri Bledi Shkëmbi do të humbasë liderin e sulmit, goleadorin e kampionatit, autorin e 9 golave.
Tek Teuta ngërçin e golit e ka zgjidhur pikërisht sulmuesi ganez edhe pse kanë qënë të shumta rastet e shpërdoruara prej tij gjatë 18 javëve. Drejtuesit e klubit kanë premtuar afrime të reja, lojtarë më cilësorë që do të mbulojnë boshllëkun e krijuar. Por çdo lojtar i ardhur rishtaz kërkon kohën e vetë të ambientimit dhe përshtatjes me skuadrën si dhe me skemat e trajnerit. Teuta është në kulmin e përgatitjeve për rifillimin e kampionatit dhe koha shtrëngon pasi dy javë na ndajnë nga starti i fazës së tretë.
Djemtë e Detit e kanë vuajtur shumë mungesën e një alternative të Latif Amadu në majën e sulmit, ndërkohë që renditjen e golashënuesve në skuadër e pasojnë Gerhard Progni me 4 gola i ndjekur nga Dimtar Bicaj dhe Sherif Kallaku me 3 realizime.





