Java që po lëmë pas po mbyllet me një bilanc të dhimbshëm përsa i përket dhunës në familjet e qarkut të Durrësit.
Vetëm gjatë ditës së shtunë, policia ka regjistruar në të gjithë qarkun 5 raste, ku 4 gra dhe një baba u janë drejtuar komisariateve të policisë për të denoncuar dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshortët, partnerët dhe djemtë.
Nga një kërkim që DurrësLajm bëri në komunikatën e policisë nga e hëna në të shtunë, përgjatë kësaj jave, rezulton se në të gjithë qarkun janë regjistruar plot 20 raste dhune në familje, ku viktimat janë në pritje të marrjes së urdhrit të mbrojtjes në gjykata. Shumica dërrmuese e rasteve të dhunës në familje regjistrohen në Durrës, për t’u pasuar nga Shijaku dhe Kruja, ku dhe ndodhen 3 komisariatet e policisë në bazë qarku.
Statistikat:
Diten e hënë – 4 raste
Ditën e martë – 1 rast
Ditën e mërkurë – 3 raste
Ditën e enjte – 3 raste
Ditën e premte – 4 raste
Ditën e shtunë – 5 raste
Siç shihet nga statistikat e çdo dite, fundjava rezulton të jetë periudha me më shumë raste dhune.
Ndërkohë po gjatë kësaj jave u arrestuan në Durrës, ditën e martë dhe ditën e mërkurë dy persona që kishin rrahur nënat e tyre, përkatësisht Sokol Filja dhe Artan Juba. Madje, nëna e Sokol Files ishte pajisur disa herë me urdhër mbrojtjeje nga gjykata për shkak të dhunës sistematike të ushtruar nga djali i saj, por kjo nuk mjaftoi për ta mbrojtur atë.
Në pjesën më të madhe të rasteve, viktima të dhunës janë femrat, por gjatë kësaj jave janë dhunuar edhe meshkujt, nga vëllezërit apo djemtë e tyre.
E ndërsa statistikat e policisë mbushen gjithnjë e më shumë me denoncime dhune brenda 4 mureve të shtëpisë, ndërsa gjykatat lëshojnë urdhër mbrojtjeje që shpesh rezultojnë të pa efektshëm (rasti i 67-vjeçares B. Filja që rrihej sistematikisht nga djali i saj megjithëse e pajisur me urdhër mbrojtje) shtrohen logjikshëm pyetjet: A po bëhen më të dhunshëm meshkujt në Durrës? A po kultivohet dhuna në familje nëpër breza të ndryshëm?
Prpblemet sociale në kohët që po jetojmë janë të mprehta dhe ndoshta rritja e numrit të rasteve të dhunës kundrejt personave më të afërt të familjes është një dëshmi direkte e krizës që po kalojnë familjet shqiptare në përgjithësi.
Rastet e dhunës të raportuara nga policia gjatë ditës së shtunë:
- Më datë 05.10.2018, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen M.M, 32 vjeçe, banuese në Durrës, pasi bashkëjetuesi, shtetasi A.Ç, 40 vjeç, banues në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669 datë 18.12.2006, ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
- Më datë 05.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen E.S, 32 vjeçe, banuese në Durrës, pasi bashkëshorti B.S, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr 9669, datë 18.12.2006. ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
- Më datë 05.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasin V.L, 69, vjeç, banuese në Krujë, pasi djali E.L,17 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë. Ligji nr 9669 datë 18.12.2006. ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
- Më datë 05.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen N.K, 50 vjeçe, banuese në Shetel, pasi djali i saj, shtetasi I.K, 35 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006. ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
- Më datë 05.10.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen D.D, 53 vjeçe, banuese në Shijak, pasi ish bashkëshorti, shtetasi S.Rr, 56 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006. ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.





