Nga Veton Surroi
Filizat e risive në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore?
1.
E mora, të cituar nga shkrimi i një autori tjetër të botuar në “Koha Ditore” pikënisjen për këtë shkrim, njërin prej librave më me ndikim në debatin intelektual të shekullit të kaluar, atë të Thomas Kuhn, “Struktura e revolucioneve shkencore”. Nuk është përzgjedhja për të filluar shkrimin me të cituar librin vetëm pse kur po e shkruaj këtë shkrim është Dita e librit apo se është në mesin e “100 librave më me ndikim të shekullit XX” të suplementit kulturor të “New York Times”, por cytja që të prekë gjendjen në tri shoqëritë shqiptare nëpërmjet tezës themelore të këtij libri.
Teza në fjalë është se ndryshimet në shkencë (pra edhe në njohuritë shoqërore në tërësi) nuk ndodhen në formë graduale me akumulimin e njohurive, por me ndërhyrjen e herëpashershme të ideve e interpretimeve të reja (të quajtura “lëvizje paradigmatike”) që vendosin një nivel të ri të njohurive. Rrjedhimisht me tezën e autorit, që për shembull të “paradigmës së re” merr momentin kur njerëzimi kalon prej interpretimit të sistemit qiellor të Ptolomeut në atë të Kopernikut, shtrohet pyetja te tri shoqëritë shqiptare dominuese – Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni – se a mund t’i kuptojmë ende këto shoqëri me njohuritë e deritanishme (paradigma e vjetër) apo jemi në prag të një risie.
2.
Disa risi – e unë do të veçoj dy – ndodhën në Maqedoninë Veriore me kandidaturën e Blerim Rekës për president të këtij shteti. E para ishte paraqitja e një diskursi të një shqiptari urban që theu akullin e paradigmës së vjetër se është e nënkuptueshme që president i vendit nuk mund të jetë një shqiptar, gjegjësisht se një shqiptar e ka të paracaktuar detyrën e vet pothuajse kushtetuese-juridike, e ajo është të merret vetëm me çështjet e shqiptarëve. Risia e dytë ishte se ky kandidat u paraqit fillimisht si i pavarur, pra jo si pjesë e establishmentit politik. Pas numërimit të votave, del se ka hapësirë bukur të pambuluar politike të atij që njihet si establishment politik shqiptar. Tetëdhjetë mijë votat dhënë Blerim Rekës janë potencial i madh i ndryshimit brenda skenës politike shqiptare, por ç’është po aq me rëndësi, edhe të raportit tradicional mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase. Raporti i vjetër, posaçërisht i solidifikuar gjatë pushtetit të kryeministrit Gruevski, ishte ndarja etnike e shtetit të kapur në proporcion; çdo gjë që ishte hapësirë publike qe një tortë e madhe për t’u ndarë nga anëtarët e koalicionit.
Dalja e një lojtari në skenë e që nuk kontrollohet nga paradigma e vjetër nuk është vetvetiu paradigmë e re, por demonstron se ka mundësi për një të tillë.
3.
Shqipëria nuk është duke prodhuar paradigmë të re. Është duke e konsumuar atë të vjetrën. Nëse për një moment i mbyll sytë dhe i heq etiketat partiake të folësve në skenë publike do të dëgjosh një kontinuitet. Ata që janë në opozitë akuzojnë ata që janë në pushtet për manipulim zgjedhor (vjedhje votash) dhe për korrupsion (vjedhje parash). Ata që janë në pushtet akuzojnë opozitën se po përpiqet ta marrë pushtetin pa votë, në rrugë e nëpërmjet protestave. Që të dytë thonë për njëri-tjetrin se janë zhytur në krim.
Meqë hera e fundit që është vendosur paradigma e re ka qenë me vendosjen e sistemit shumëpartiak, Shqipëria ka përjetuar që çdonjëra prej garniturave që sot akuzojnë njëra-tjetrën qoftë për vjedhje votash e parash në pushtet, qoftë për synim për ta fituar pushtetin pa votë, të jenë në pushtet.
Ka vend për një paradigmë të re? Dy janë indikatorët potencialë që dëgjova gjatë javës në Shqipëri. Një, komuniteti i biznesit është i brengosur me paralizën politike. Në transicion, komuniteti i biznesit ka qenë aleat i madh dhe ndoshta i detyrueshëm i paradigmës së vjetër; ka qenë dhe është financuesi i drejtpërdrejtë i sistemit të korrupsionit në vend, duke e konsideruar përqindjen e profitit që duhet dhënë pushtetarëve si kosto prodhimi, që në fund edhe ashtu do ta paguajë konsumatori. Për më tepër, ka konsideruar se edhe krimi i organizuar, i cili sjell të ardhura të jashtëzakonshme nga tregtia me drogë, është pjesë e nxitjes ekonomike të vendit. Logjika qe se paraja nga droga, fundja, kthehen në vend si kapital investues.
Tash ky komunitet ka nevojë për një siguri që nuk varet prej balancës së krijuar me pushtetin nëpërmjet të ryshfetit e as nga balanca e krijuar, të respektit të ndërsjellë, me krimin e organizuar. Afarizmi në Shqipëri ndihet i rrezikuar nga viktima e radhës para Parlamentit në emër të mbrojtjes së demokracisë apo viktimën e radhës të anëtarëve të bandës në klub lagjeje në emër të mbrojtjes së linjave ndarëse të territoreve të bandave të drogës. Afarizmi, kryesisht në ndërtim dhe turizëm, ka hyrë në cikël zhvillimor të atillë që prej shtetit nuk kërkon më as kushte më të mira, as infrastrukturë por, mbi të gjitha, siguri dhe stabilitet.
Sinjali i dytë është nga komuniteti intelektual. Ai është konsumuar prej vitesh duke mbrojtur herë njërën palë e herë palën tjetër në konfliktin politik, dhe jo pa të drejtë. Përgjatë tërë viteve të përplasjeve politike zëri protestues opozitar ka nxjerrë në sipërfaqe padrejtësitë që i bëhen atij në opozitë dhe favoret që u bëhen njerëzve në pushtet. Problemi tek i cili po mbërrihet tani është identifikimi se nuk janë vetëm problem kjo apo ajo udhëheqje e vendit, por problemin duhet kërkuar në sistem. Sistemi i njëjtë ka gjasa të prodhojë vetëm rezultat të njëjtë.
Ndeshja e radhës politike mund të jetë rast i mirë për të vazhduar brenda sistemit, me antagonizim të mëtejmë. Apo mund të jetë edhe rast për një përllogaritje të esëllt se çka është ajo që do ndërruar në këtë vend?
4.
Dhe, dy sinjale paradigmatike janë në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës, me gjithë insistimin e shumicës që të bëhet një çajtore e madhe e kotësive ditore, megjithatë është duke zhvilluar njërën prej hetimeve, me komisionin e vet, i cili mund të shënojë kthesë. Sipas njohurive të deritanishme, është duke hulumtuar, në formë të thjeshtësuar, se si Hashim Thaçi në funksionin e presidentit të Republikës urdhëroi shërbimin sekret të Kosovës dhe policinë e saj, së bashku me disa institucione të tjera, që të rrëmbejnë gjashtë qytetarë të Turqisë dhe t’ua dorëzojnë shërbimit sekret turk në zonën ndërkombëtare të Aeroportit të Prishtinës.
Testi i vërtetë, në fakt, shkon tej personalizimit të këtij problemi me Thaçin (ndonëse emri i tij është magnetik për çfarëdo dëmtimi strukturor ekonomik e politik të këtij vendi në së paku dhjetëvjetëshin e kaluar) dhe do të jetë a ka mundësi që Kuvendi i Kosovës ta kryejë funksionin e vet të duhur mbikëqyrës në këtë vend? A ka ndarje pushtetesh në shtet të kapur?
Këtë dilemë të njëjtë, nga një kënd e metoda të tjera, po përpiqen ta trajtojnë, dhe ky është sinjali i dytë, Lëvizja Vetëvendosje me protestën kundër Kryeprokurorit të Shtetit. Perceptimi opozitar dhe i një pjese të opinionit publik është se Kryeprokurori i Shtetit është vënë në shërbim të Hashim Thaçit, në çfarëdo cilësie. Nëse Kryeprokurori nuk shihet i ndarë prej funksionit të Hashim Thaçit dhe strukturës së tij jodemokratike e kundërdemokratike (siç u pa me rrëmbim të gjashtë qytetarëve) atëherë ose hapet edhe një komision hetimor, ose, siç propozojnë shkurt në LVV, dilet në protestë.
Ajo që mund të ndodhë në javët në vijim është gara e sinjaleve, e atij brendainstitucional dhe atij jashtinstitucional, një garë që duket se është drejtuar te i njëjti cak, se si të thyhet paradigma e një shteti të kapur. /KOHA