Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës po bëhet gati për shfaqjen e parë për këtë sezon. Sipas njoftimit të vetë këtij institucioni kulturor, sezoni nis me një nga kryeveprat e komedisë ruse, “Revizori”, e shkrimtarit të madh rus N. V Gogol. E njohur dhe me titullin “Kryeinspektori” me të cilin është vënë në skenë në vitin 1972 në teatrin e Durrësit, me regji të Vangjel Hebës, kjo vepër vjen me një koncept të ri nga regjisorja e njohur Driada Dervishi.
Në një qytet të vogël…diku…atje… pritet një inspektim nga një Revizor, i dërguar nga lart, që do të jetë "Incognito". Ai vjen për të parë nëse qyteti qeveriset siç duhet, nëse qytetarët janë të lumtur, nëse rrugët janë të pastra, nëse fëmijët edukohen mirë, nëse të sëmurët kurohen dhe nëse drejtësia është e drejtë!
Komedia më e njohur e dramaturgjisë ruse, e jo vetëm, hap sezonin artistik në teatrin "Aleksandër Moisiu" nën regjinë e Driada Dervishit, me aktorët Gentian Zeneli, Amos Zaharia, Besmir Bitraku, Xhejni Fama, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj, Kastriot Shehi, Gjergj Doçi dhe në fund, por jo për nga rëndësia Jaho Guma dhe Erjon Hodo (në foton poshtë). Guma dhe Hodo janë dy aktorët më të rinj të trupës së teatrit "Aleksandër Moisiu", por që premtojnë shumë për të ardhmen. Muzika i është besuar Hajg Zacharianit, ndërsa koreografia mjeshtrit Elton Cefa.
Ndërsa pritet të vihet në skenë vepra e parë teatrale për këtë sezon, teatri “Aleksandër Moisiu” i është nënshtruar rikonstruksionit të sistemit të ngrohjes e ftohjes dhe tashmë premton kushte komode për spektatorët në sallë, pavarësisht temperaturave të ambientit të jashtëm.