Kafeja është një pjesë e pandashme e traditës shqiptare dhe një ritual i përditshëm për shumë qytetarë. Megjithatë, rritja e çmimeve të kafesë dhe sfidat globale që po hasin prodhuesit e saj, po e kërcënojnë këtë traditë. Kolumbia, Brazili dhe Vietnami janë prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në botë, por ndryshimet klimatike dhe sëmundjet e bimëve si “La Roya” po dëmtojnë rëndë prodhimin.
Çmimi i kafesë ka pësuar një rritje të madhe, me një rritje prej 80% të çmimit të varietetit Arabica në vitin 2024, dhe ky trend ka prekur edhe Shqipërinë. Sipas Enri Jahajt, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe të Restoranteve, çmimet e kafesë në Shqipëri janë rritur me 20% brenda një viti dhe pritet të rriten edhe më shumë në muajt në vazhdim. Aktualisht, çmimi i një filxhani kafeje në Tiranë varion nga 90 deri në 130 lekë, ndërsa në zonat më elitare mund të shkojë deri në 150 lekë.
Edhe pse kafeja mbetet ende një pjesë e zakonshme e jetës për shumicën e shqiptarëve, rritja e vazhdueshme e çmimeve mund ta shndërrojë atë nga një zakon i përditshëm në një luks të shtrenjtë për disa.