Ishte ish- kryeministri Sali Berisha i cili deklaroi se nga festivali i RTSH-së një këngë është censuruar për shkak të tekstit, duke bërë përgjegjës kryeministrin Rama.
Pas diskutimeve dhe hipotezave të shumta të ngritura nga qytetarë të thjeshtë dhe persona publik, ka ardhur edhe reagimi i zëdhënëses së festivalit të RTSH-së, Kozeta Kurti.
Ajo ka shpjeguar se kënga e Kastro Zizos nuk e kaloi fazën e parë kualifikuese dhe se kjo çështje nuk duhet të politizohet.
DEKLARATA
“Mos i përdorni artistët politikisht!
Gjatë ditës së sotme, mediat janë fokusuar në një status të Z. Sali Berisha, sipas të cilit Kastro Zizo është përjashtuar nga edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës për shkak të tekstit politik.
Kënga e Kastros nuk është përjashtuar nga Festivali. Ajo nuk ka kaluar këtë fazë të garës, njësoj si edhe afro 40 këngë të tjera, për të cilat do ishte absurde, demotivuese, detajimi i arsyeve të skualifikimit.
Komisioni i përbërë nga:
Luan Zhegu
Makelian Kapedani
Ben Andoni
Edmon Rrapi
Sokol Marsi
kanë votuar secili në mënyrë të pavarur dhe mbajnë përgjegjësi personale për integritetin e tyre profesional.
Çdokush është i lirë të mbrojë krijimtarinë e tij artistike, por askush nuk ka të drejtë të ndosë artin me politikën. Kësaj të fundit i del teatri në të cilin interpreton çdo ditë”.





