Nga BUJAR QESJA

Doja të ngreja një problem shoqëror, nga ato që kanë filluar të na mundojnë dukshëm kohët, vitet apo ditët e fundit. A kemi dëshirë të takojmë njëri tjetrin, të flasim e të çmallemi? Kjo veçanërisht me të larguarit jashtë tokës tonë prej tre, dy apo një dekade më parë. Dhe padashur kur jemi në qetësinë tonë, flasim edhe më të tjerë, por jo pak pëshpërisim edhe me veten:

Sa kohë të bukura kemi kaluar, kur kemi qenë bashkë njëri me tjetrin!

Në rrugicën e lagjes nuk kishte rëndësi se “humbisje” shtëpinë tënde, pasi ishte shtëpia e gjithkujt që jetonte në afërsi. Mbaj mënd ngjitur me shtëpinë tonë, në rrugën “Nail Kondi” të lagjes numër 4, ishte shtëpia e Ramazan Çullhajt, specialist i artë ndërtimi. E shoqja e tij Bija, na priste sikur të na kishte lindur ajo. Sa të vinin prindërit në drekë, kisha ngrenë bukë tek nanë Bija dhe jo në pak raste më zinte edhe gjumi. Me një velencë hedhur mbi trupin tim, ndjeja jo vetëm ngrohtësinë e shpirtit, por edhe të nënë Bijes së mrekullueshme.

Po kështu mund të strehoheshe edhe tek shtëpitë e Qazim Domit, Andon Boshnjakut, Sirije Dashit, Patra nëna e shokut tonë Bebi, tek Thimija korçarja e shtrenjtë etj.etj. Tavolina e bukës dukej aq e madhe, sa vetë rrugica e lagjes time të fëmijërisë.

E shoqëria e jonë! E shoqëria e jonë, magjia e kujtimeve. Kujtoj Lolin e Dedjave,, Lylen e Arapëve që na kanë lënë tashmë, për të hyrë në kujtimet tona për ta, Midin, Panon e Makove, Fadilin, Kopin e Jorgjëve, , Zisin e Domëve, Osen e Dashëve, Palin e Katrove, Sabriun e Demirëve, Kipin e Mujkave, Titin e Bletave, Agimin e Çetakëve, Xhemalin e Manin e Sulejmanëve, Petron e Luarasëve, Koçin e Seminëve, Ladin dhe Ilirin e Mborjeve, Naunin dhe Taqon e Xhokaxhive, Besnikun, Benin dhe Lipen e Pezave, Jorgon e Stamove, Besnikun dhe Galipin e Bidulëve etj. E mund të vazhdoja kështu pambarimisht.

Qëndronim së bashku si një familje. Por edhe me shokët e klasës në cikle të ndryshme, qendronim tërë kohën bashkë. Vëllazëri, miqësi, mirkuptim, bashkëpunim dhe bashkëqendrim në pjesën më të madhe të ditës. Gëzimet dhe fatkeqësitë ndaheshin njëlloj. Dera jote, ishte e njëjtë me derën e komshiut. Ndahej dhimbja, ndaheshin kënaqësitë në fejesa e martesa, në ditëlindje e pritje festash. Kujtimet vijnë si ujvara dhe kërcasin fort mbi memorien tonë. Pas 90-tës gjërat ndryshuan.

Dikush e argumenton këtë me ndryshimin e sistemit, me kapitalizmin, me ekonominë e tregut, duke justifikuar ftohjen, veprimet e skajshme individuale, duke u ndarë nga ai kolektivitet që na rriti e nxorri në jetë, na bëri këto që jemi. S’kam ndërmënd të jap receta, as të tregohem më i ditur nga ty i nderuar që lexon këto rradhë. Por një merak më bren si molë dhe më gris trendin e një karakteri të kristalizuar. Tani shtëpi të mbyllura, kënaqësi të transferuara nuk e di se ku, sofra të ngushta dhe gëzime apo hidhërime që preken vetëm nga pak njerëz.

Kërkoja një shokun tim dhe më treguan se banonte në iks apartament. Prita sa të çfaqej një banor i atij apartamenti dhe e pyeta për emrin që kërkoja.

-Nuk e njoh, më tha.

Pas pak çfaqet duke dalë nga e njëjta derë, personi që doja të takoja dhe i foli bashkëbiseduesit.

Nuk m’u durua dhe reagova:

-Këtë kërkoja, ju më thatë se nuk banon këtu një njeri me këtë emër.

Dhe si m’u shpreh?

-Unë e njoh dhe flasim, por nuk e di si e ka emrin.

Deri këtu po vimë. Vërtet mungojnë kolektivat punonjëse të kohës para 90-tës, por nuk ka vdekur shpirti, nuk ka mbaruar fisnikëria, nuk është venitur tradita, nuk është lënë pas krahëve miqësia dhe mikpritja. Pse ia provokova vetes këtë organizim fjalish, që mori përmasat e një shkrimi të plotë, duke çfaqur një nga dëmet më të mëdha që ia kemi shkaktuar vetes. Ftohjen! Hezitimin për të takuar njëri tjetrin dhe aq më pak, për t’u njohur me hallet dhe jetën e njëri tjetrit.

Para disa ditësh, në një mëngjes më çfaqet papritur miku im i përmallshëm, doktor profesori i njohur, 85 vjeçari Esat Ypi me të bijën Evisin. Po bëhesha gati me time shoqe për të ikur në presidencë, pasi do të vlerësosheshin dy mjeshtra të njohur të çiklizmit. Të dyja makinat ishin me itenerare të kundërta dhe qenë akostuar pranë njëra tjetrës, sikur të ishin mjete të ankoruara në një nga kalatat e portit. Ishim me minuta. Avioni i linjës Rinas-Trevizo ku do të udhëtonin babë e bijë, ishte në limitin e pritshmërisë. Dhe ne gjithashtu, orari në kërcënonte për të vepruar më shpejt.

Por kjo u harrua. Miqtë takohen njëherë si në një kohë. Po aq të sinqertë dhe të ngrohtë njëri me tjetrin. Kohët vërtetë kanë ndryshuar, por zemra dhe shpirtërat tanë jo. Kemi mall. Nuk shihemi vërtet, por sytë e shpirtit qendrojnë gjithnjë hapur dhe as kanë ndërmënd të mbyllen. Jemi të një qyteti. Kemi ndarë shumë gjëra dhe miqësinë e ruajtëm.

-Jam me shumë vonesë Bujar. Punë avioni. Kisha dëshirë të qëndronim së bashku. Do të qerasja unë me vajzën. Ju duam shumë ty me Kostandinën. Kur vijmë në Durrës, jemi në padurim për të ardhur t’ju takojmë. Në pamundësi ke diçka nga unë. Zene se jemi bashkë! Kështu i kishim punët dhe nuk mund të qëndrojmë.

5 minuta me Esat Ypin, m’u dukën si 5 ditë, pasi komunikimi ynë ishte i sinqertë dhe miqësor, sa që na u duk se i thamë të gjitha ato që mundnim.

Përqafohemi me mallin e zjarrtë si dy miq, si dy shqiptarë të pandryshuar, pa ditur se në çfarë kohe jemi dhe në çfarë rrethanash ndodhemi. Mesazhi është i qartë: si do që të jetë dhe sido që të vijë, jemi së bashku, me solidaritet miqësor dhe shoqëror si dikur. Po, po, si dikur!

Të dy kaluam në makinat tona. Të dy kishim itenerare të ndryshme, por pa ndryshuar korsinë e rrugëtimit tonë:

Miqësinë e hershme, por të veshur me kostumin e një kohe që bën presion, por kurrë të patjetërsuar. Kohën e bëjnë njerëzit. Rregullat dhe kodet i vendosin njerëzit. Dhe të mos e harrojmë që u lindëm në një qytet, u formuam në një qytet, punuam në një qytet, dolëm në pension në një qytet dhe do të largohemi një ditë nga të gjallët, duke qenë të përjetshëm në një qytet.

-Mirupafshim Esat Ypi! I thashë unë.

-Mirë të gjeça Bujar Qesja, tha ai.

Durrës- Trevizo! Trevizo –Durrës! Distancë jo fort e vogël, por brenda një miqësie të madhe.

Të shikojmë njëri tjetrin në sy! T’i flasim dhe të mos i mbajmë mëri njëri tjetrit! Të takohemi njëri me tjetrin! Edhe nëse hezitojmë ta bëjmë këtë, jemi të detyruar. Është amanenti i atyre që nuk jetojnë. Dhe këtu kodi i mirnjohjes dhe i traditës së hershme, nuk ndryshon. Vlen dhe do të vlej gjithmonë.

Durrës: 19 nëntor 2021

Pamja e parë

Nga e djathta: Esat Ypi, Evis Ypi, Kostandina Qesja dhe Bujar Qesja

Pamja e dytë

Në të djathtë: Esat Ypi dhe Bujar Qesja.