Terroristi Salah Abdeslam nuk u vetëhodh në erë gjatë sulmeve të 13 nëntorit në Paris, për të shpëtuar jetë njerëzish.
Mohamed Abdeslam, vëllai i të mbijetuarit të masakrës së Parisit, rrëfen në një intervistë për rrjetin televiziv francez BFMTV, detaje të reja pasi vizitoi Salah-un në burgun e Brukselit.
“Nëse do të doja mund ta shpërtheja jelekun eksploziv, fatmirësisht nuk e bëra pasi do të kishte pasur edhe shumë viktima të tjera”, mësohet të ketë thënë Salah Abdeslam.
Vëllai i 26-vjeçarit thotë se ai dëshiron të ekstradohet në Francë dhe të bashkëpunojë me drejtësinë franceze, pasi ndihet në borxh me ta, ndërsa nga ana tjetër nuk ka ndonjë borxh karshi autoriteteve belge, pasi sipas tij nuk ka lidhje në masakrën e Brukselit që la 32 të vdekur dhe mbi 270 të plagosur.
Pavarësisht këtyre deklaratave, autoritetet belge shprehen se Abdeslam kishte lidhje me të paktën 2 nga kamikazët e 22 marsit në Bruksel.