Fatura që paguhet në muajin shkurt për energjinë elektrike me shumë gjasë do të jetë më e lirë, por me kusht që konsumi mujor të mos jetë më shumë se 800 kWh. Kjo vlen vetëm për abonentët familjarë dhe jo për bizneset. Burime nga Enti Rregullator i Energjisë bëjnë të ditur se janë marrë masat që kjo ulje e çmimi të fillojë që nga 1 Janari i këtij viti.

Ne kemi marrë një porosi dhe prej kohësh punojmë me OSHEE-në, me KESH-in edhe me OST-në për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.

“Jemi në punë e sipër, në analizë e sipër, por jemi të sigurt që do t’ia dalim, që duke optimizuar proceset teknike dhe financiare të kompanive tona, ne të kemi mundësi që nga 1 janari t’iu ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë për energjinë elektrike.

Familjet që do të konsumojnë më pak se 800 kWh energji elektrike në muaj, nga shkurti do të paguajnë më pak lekë.”

Dy muaj pasi u paralajmërua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, propozimi i qeverisë për të ulur çmimin e energjisë për abonentët familjarë është marrë në shqyrtim nga Enti Rregullator i Energjisë.

Vendimi që pritet të hyjë në fuqi nga 1 shkurti pritet të merret në mbledhjen e së martës së Bordit të Entit Rregullator të Energjisë. Aktualisht çmimi i energjisë për abonentët familjarë është 9.5 lekë për kWh pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë.

Ulja e çmimit do të prekë vetëm kategorinë e konsumatorëve familjarë, duke përjashtuar kategoritë e tjera si bizneset, institucionet buxhetore dhe jobuxhetore. Ndryshime nuk do të ketë as për furrat e bukës.