Kapiteneria e Portit Durres bën me dije se: pas njoftimit të marrë në orën 15:50 nga trageti AF Marina, i cili ishte nisur nga porti i Durrësit në orën 13:00 (lundrim i dyfishtë) në drejtim të Barit, për shkak të një emergjence mjekësore (abort spontan) të një shtetaseje shqiptare u urdhërua kthimi i tragetit në radë.

Menjëherë pas këtij urdhri u vendos në gadishmëri rimorkiatori “Joni” për të shkuar drejt radës, për të marrë shtetasen në fjalë dhe për ta shoqëruar në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Në bashkëpunim me autoritetet portuale u vendos në gadishmëri ambulanca e APD për të transportuar pacienten drejt spitalit, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në orën 17:15 pasagjerja J.T. u imbarkua ne bordin e rimorkiatorit m/s “Joni” dhe në orën 18:00 hyri në port. Në orën 18:05 u imbarkua në ambulancën që ndodhej në terminalin e pasagjerëve për t’u transportuar në spital.