Pas përvojës unike në finalet e “Euro 2016”, kuqezinjtë kanë nisur pushimet verore, për t’u çlodhur e relaksuar, para se të rifillojnë angazhimet me klubet e tyre respektive. Kapiteni Lorik Cana ka qenë i pari, që është vendosur në bregdetin e Jonit, bashkë me të shoqen dhe djalin. Madje, ai u fotografua me një çantë në krah, duke bërë pazar, në një market të zonës ku ndodhet.
Bekim Balaj është parë në Kroaci, së bashku me të dashurën e tij, bukuroshen nga Kosova, Elita Rudi.
Ndërkohë, sot, përmes një fotoje të hedhur në faqen e vet në Facebook, e ka “nxjerrë kokën” edhe Amir Abrashi. Që është duke pushuar, kjo nuk përbën lajm, por që ka zgjedhur bregdetin shqiptar, atë të Jonit, te “Shpella e Piratëve”, po. Më shumë se kaq, bashkë me të ndodhet edhe Xherdan Shaqiri, shqiptari i kombëtares së Zvicrës, bashkë me vëllain dhe dy shokë të tjerë.
Njëri prej këtyre të fundit ka veshur fanellën e kombëtares shqiptare, madje. Pra, pas disa ditësh në Ibiza, ku bëri bujë me një foto, ku shfaqej duke iu “vardisur” me sy një bukurosheje, Shaqiri ka preferuar t’i kalojë disa ditë edhe në plazhet shqiptare. Kuptohet, në shoqërinë e Abrashit, ngaqë ky i fundit, me pasaportë shqiptare dhe pjesë e kombëtares kuqezi, duket më vendali se të tjerët, madje në rolin e udhërrëfyesit.
Nuk kanë munguar komentet e ndjekësve të Abrashit në Facebook, teksa kanë parë foton e hedhur prej tij. “Musa Musliuu Cai” shkruan: “O Amir, thuj let vin me lujt per kosoven, xherdani, xhaka, xhemajli…” “Samson Duzhmani” shton: “Pas pushimeve, ju presim me padurim te vini me lujt per Kosoven. Kosova ka nevoj per Ju. Ju jeni ata qe na beni krenar, ju jeni ambasadoret me te mire te Kosoves. Vendlindja juaj ju therret.” “Muj Lajthiza” zbulon vendin ku po bëjnë plazh futbollistët e njohur: “Ku jeni o grupa? Ne karaburun? Vendi juaj me i bukuri ne botë. Klb.” “Benjamin Xh Fazliu” e ka një “thumb”, gjithsesi: “Mos rri me kta, qe nuk e don atdheun, o Amir Legenda!”





