Itali, 29 prill 2014 – Shkëlzen Kaçi nuk i ngjan stereotipit të shqiptarit hajdut, drogaxhi apo tutor prostitutash. Ai prej 6 vjetësh jeton dhe punon me dokumenta të rregullta në Itali, pikërisht prandaj ndihet sa i habitur aq edhe i revoltuar e i fyer nga e ashtuquajtura drejtësi italiane.
Shkëlzen Kaci është i regjistruar si artizan në qytetin e Veronës dhe paguan rregullisht taksat. Ndërsa rreth orës 14.00 të së shtunës po punonte me spatul për të patinuar murin e një banese në pjesën e vjetër të qytetit, mbërrijnë në këtë apartament dy policë bashkiakë.
Ata pretendojnë se kishin marrë një telefonatë, ku fqinjët ankoheshin se dëgjonin zhurma të forta në apartamentin, ku po punonte Shkëlzeni. Ai u tregon spatulën me të cilën po punonte dhe i pyet policët bashkiakë, nëse dëgjuan ndonjë zhurmë shqetësuese. Ata iu përgjigjen që nuk dëgjuan zhurmë, gjithsesi e paralajmëruan që të bënte kujdes e të mos bënte zhurmë.
Pas pak minutash policët i telefonojnë dhe e njoftojnë se i kishin vënë një gjobë të vogël për zhurma shqetësuese. Gjoba ishte plot 612 euro. Shkëlzeni e çoi çështjen në gjyq dhe fiks pas 11 muajsh humbi gjyqin, sepse nuk arriti ta bindë gjykatësin, që me spatulën e vogël nuk kishte si të bënte zhurmë shqetësuese për fqinjët. Tashmë Shkëlzeni duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit!!!
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





